TIRANË – Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka folur sot sërish për mbifaturimin e energjisë elektrike që po e vujane mijëra familje dhe subjekte. Ai tha se ortakët refuzuan të marrin përsipër përgjegjësitë e këtij skandali. “Një milionë klientë shqiptarë janë vjedhur, por ortakët e përfshirë në këtë vjedhje, Qeveria e Sali Berishës dhe OSSH, në mënyrë të turpshme, të denjë për hajdutë tradicionalë të zyrave shqiptare, përqeshën fakte publike e ligjore, vunë në dyshim vjedhjen e qartë, refuzuan të marrin përgjegjësinë për të, munguan me një ndjesë serioze për çdo shqiptar të vjedhur”, u shpreh sot Braçe.
Partia Socialiste mban qendrin ndaj sjelljes së kompanisë që manaxhon energjinë elektrike në vend.
Qendrimi i PS-së:
1- grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike – me fuqi ligjore nga 1 janari – që në muajin dhjetor, nuk është një çështje politike por thellësisht ligjore.
Për ne aludimet për lojëra politike të artikuluara nga drejtuesi i monopolit OSSH, janë të papranueshme.
- faktet që dëshmojnë grabitjen u bënë publike nga përfaqësues politikë në momentin kur pavarësisht dijenisë së plotë për këtë grabitje, monopoli OSSH u mundua ta kalonte atë në heshtje duke pranuar edhe përfitimet monetare nga kjo grabitje.
- monopoli OSSH është përfshirë në politikë qyshkur pranoi politikisht dhe jo ekonomikisht kërkesën elektorale të Sali Berishës për të mos rritur çmimin e energjisë elektrike për vitin 2009, me efekt në zgjedhjet e qershorit, duke flakur tej një plan ekonomik me një rritje më të butë e të arsyeshme të çmimit të energjisë në vitet që do të pasonin, duke përfshirë edhe 2010.
2- grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike -me fuqi ligjore nga 1 janari – që në muajin dhjetor, nuk është një gabim njerëzor por një veprim i qëllimshëm dhe i vetëdijshëm që ka arkëtuar për llogari të OSSH të ardhura të paligjshme, duke konsumuar veprën penale të vjedhjes së afro 1 milionë klientëve.
Për ne alibia e përsëritur me gabime njerëzore, huazuar si e tillë nga sjellja kriminale e qeverisë së Sali Berishës me pasoja të rënda e të provuara si në Gërdec, është e papranueshme.
- nuk mund të ketë gabim njerëzor në vijimësi dhe të shtrirë në afro 1 milion fatura që sipas ligjit janë titull ekzekutiv. Njerëzit po heqin bukën nga goja, po marrin borxh për ti paguar ato.
- Përmasa e kësaj grabitjeje, verifikuar, dëshmuar dhe paguar nga çdo kryefamiljar shqiptar, biznes i vogël e i madh, konsumatorë të tjerë publik, përbën një provë të qartë e të fortë për një veprim të qëllimtë e përfitues.
3- grabitja me faturat e energjisë elektrike, duke aplikuar çmimin e rritur të energjisë elektrike – me fuqi ligjore nga 1 janari – që në muajin dhjetor, nuk mund të jetë më një çështje në verifikim, për më tepër nga ortakët e monopolit OSSH, ajo duhet të jetë një çështje nën hetim, gjykim dhe ndëshkim. Vjedhja është e provuar nga faturat, përmasa e saj duhet hetuar nga Prokuroria.
Për ne zgjidhja e artikuluar nga ortakët e monopolit OSSH të përshirë në vjedhje, sipas së cilës gjithçka kalon lehtë duke folur me klientët – kur në zyrat e OSSH gjen njerëz të grabitur që prej muajsh kërkojnë e s’marrin të drejtë, apo duke shkarkuar faturistë – kur ata prej vitesh zëvendësohen nga të tjerë grabitës zyrtarë, nuk vlen më, për ne e për gjithkënd.
- qytetarët tani kërkojnë tu kthehen mbrapsh sa më parë çdo qindarkë e grabitur nga monopoli OSSH.
- qytetarët kërkojnë garanci që kjo vjedhje nuk të përsëritet më, ndaj hetimi, gjykimi dhe ndëshkimi i monopolit OSSH dhe zyrtarëve të tij, lidhur me këtë vjedhje është detyrim ligjor dhe moral.
- qytetarët kërkojnë të paguajnë vetëm atë që konsumojnë dhe investimi në sistem për të ofruar këtë shërbim ndershmërisht dhe me cilësi është jetik e nuk duhet të vonojë. Madje duhet të jetë kusht për çdo masë tjetër në favor të monopolit OSSH.
______________
Mbifaturimi flet drejtori i OSSH-së
Gabim njerëzor e ka quajtur drejtori i OSSH, Jozef Haisek, faturimin e energjisë për muajin dhjetor 2009 me çmimin e janarit 2010. Gjatë një deklarate për mediat, Haisek ka sqaruar se do të bëhet vlerësimi rast pas rasti dhe do të nisin kompensimet e konsumatorëve.
“Do të bëjmë vlerësimin rast pas rasti, duke verifikuar gjendjen e matësave dhe nëse vërejmë abuzime do të nisim kompensimet. Muajin tjetër do të nisin kompensimet e konsumatorëve” – tha drejtori i OSSH-së.
Më tej ai ka deklaruar se do të ndëshkohen gjithë ata faturist që do të kapen në gabime të tilla, ashtu si është bërë edhe më parë.
Duke folur për rritjen e çmimit të energjisë, ai ka pranuar se kjo ishte e nevojshme dhe do të shërbejë për rritjen e investimeve në sistemin e energjisë. Përpos kësaj, sipas tij, kjo rritje bëhet edhe për të mbuluar humbjet dhe për të furnizuar vendin me energji.
_________
Kryetari socialist, Edi Rama ka vënë në dukje dje një nga problemet më të mëdha të qytetarëve shqiptarë. Fatura e majme e energjisë elektrike por edhe e ujit. Ai ftoi gjithë qytetarët që s’pranojnë keqqeverisjen t’i bashkohen protestës që do të organizojë Partia Socialiste.
“Me hyrjen e vitit 2010, qytetarët po paguajnë më shumë energji, pasi iu janë faturuar edhe dite të dhjetorit”, u shpreh Rama.
Ai akuzoi qeverinë se po grabit popullin e vet, pasi është aksionere në masën 25 për qind në Operatorin e Shpwrndarjes së Energjisë.
“Te gjithë shqiptarët e pakënaqur nga qeveria dhe nga mënyrat abuzive të veprimit të saj, t’i bashkohen protestave të Partise Socialiste”, u shpreh Rama sot në nëj proncim për mediat.
___________
27 shkurt
Braçe: Prokuroria të hetojë vjedhjet e OSSH
Partia Socialiste ka kërkuar sot ndërhyrjen e prokurorisë për atë që po ndodh me çmimin e rritur të energjisë, faturat afrofe dhe heshtjen e qeverisë.
Deputeti Erion Braçe gjatë një konference për shtyp ka deklaruar se aplikimi i çmimit të rritur të janarit që në dhjetor, po konsumohet, e bashkë me të edhe faturat afrofe në mënyrë abuzive, por kësaj radhe me çmim të rritur.
“Qytetarët po paguajnë vjedhjen përmes faturimit të energjisë së konsumuar në dhjetor më çmimet që janë ligjore në janar; po paguajnë çmimin e ri të energjisë të rritur tre herë: për fashën deri në 300 kë nga 7.00 lekë në 7.70 lekë; për fashën mbi 300 kë nga 12.00 lekë në 13.50 lekë; për energjinë e ambienteve të përbashkëta nga 7.00 lekë në 8.00 lekë dhe po paguajnë me çmimet e rritura edhe energjinë e pakonsumuar të faturave si afrofe, apo energjinë përtej ditëve kalendarike të një fature normale, nga 30 në 35 ditë”- ka thënë Braçe.
Përballë një situate të tillë, sipas Braçes, kavalieri moralist, Sali Berisha po hesht ndërkohë që përgjegjësia është direkt e tij. Ai ka sqaruar se pronësia në kompaninë OSSH dhe pas privatizimit është 75% CEZ dhe 25 % Qeveria e Sali Berishës dhe më këto aksione ai duhet të kishte mbajtur qëndrim.
Më tej, ka vijuar Braçe, pronësia e CEZ mbi OSSH, u garantua nga një proces privatizimi drejtuar e përcaktuar nga qeveria e Sali Berishës. “Vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike që tani po shërben për të shtrenjtuar dhe vjedhjen, u morr nga një ent thellësisht politik dhe nën ndikimin direkt të Sali Berishës”- tha ai, duke kërkuar ndërhyrjen e prokurorisë.
“PS i kërkon prokurorisë të nisë procedim penal për këtë vjedhje masive që po i bëhet qytetarëve shqiptarë. Procedimi penal nuk mund të jetë i njënashëm, vetëm në rastin kur qytetari vjedh dhe nuk paguan energjinë, ai duhet të ndodhë doemos edhe kur qytetari vidhet për energjinë me një faturë që është titull ekzekutiv”- përfundoi Braçe.
Pak dite me pare, serish Braçe denoncoi rritjen e energjisë që në muajin dhjetor, ndërkohë që me vendim qeverie rritja duhet të kishte nisur nga 1 janari.
“Tashmë të gjitha familjeve në vend u ka mbërritur fatura e re, e cila sigurisht është dyfish më e shtrenjtë se ajo e një muaji më parë”, tha Braçe. Sipas deputetit socialist, kjo qeveri ka dorëzuar tashmë pasuritë publike në dorë të klientëve të tij, që vjedhin popullin.
Ai demostroi para mediave faturën e energjisë elektrike, që i referohet periudhës 20 dhjetor 2009 – 21 janar 2010. Braçe koemntoi se: “OSSH ka faturuar energji të konsumuar në dhjetor me çmimin e ri të rritur, hyrë në fuqi me 1 janar, pra në rastin konkret, për dhjetë ditë të dhjetorit energjia është faturuar me 7.70 dhe 13.50 për kilovat. Vjedhje më të qartë se kjo nuk ka”.
Gazeta Shekulli
