Del së shpejti në Austri nga shtëpia botuese Korrespondenzen, në dy gjuhë gjermanisht e shqip, nën përkthimin e Andrea Grill vëllimi me poezi i Luljeta Lleshanakut “Kinder der Natur – Fëmijët e natyrës”.
Një poezi e rrallë për nga bukuria e imazheve, thellësia e mendimit dhe forca depërtuese e poetit
Del së shpejti në Austri nga shtëpia botuese Korrespondenzen, në dy gjuhë gjermanisht e shqip, nën përkthimin e Andrea Grill vëllimi me poezi i Luljeta Lleshanakut “Kinder der Natur – Fëmijët e natyrës”.
M’i dërguan përkthimet para pak javësh për një redaktim të fundit. Me thënë të drejtën kisha kohë, qysh nga leximi i poezive të Martin Camajt, që nuk kisha provuar përshtypje kaq të thella nga bukuria e imazheve, thellësia e mendimit dhe forca depërtuese e poetit. Çka vërejta po mundohem ta shpreh në formën e një letre për autoren, meqë dhe takohemi rrallë.
Rri lexoj, Luli, për të kushedisatën herë poezitë e tua dhe duke mos qenë vetë poet ose duke qenë i tillë vetëm në ëndrra, përpiqem të shpjegoj pse janë të bukura dhe pse u kthehem edhe u rikthehem.
Kur nuk je vetë poet dhe të hyn poezia kaq thellë në lëkurë si ma bëre tani me “Fëmijët e natyrës”, të mbetet vetëm një rrugë: të hysh brenda tyre me forcën e logjikës. Domethënë të hysh brenda në shtëpinë e të marrit i veshur me kostumin e rregullt të kritikut të artit – do kishe thënë ti, me një nga ato krahasimet që i nxjerr nga xhepi tak-fak si dikur vajza ime e vogël karamelet nga xhepat e barkut të bluzës me kapuç.
E di që s’ka asnjë kuptim të të tregoj unë ty se ç’është poezia, por e kupton edhe vetë se është truku më i thjeshtë letrar që këtë letërkëmbim të hapur ta lexojnë mundësisht sa më shumë të tjerë, e ndonjë tjetër marifet sot nuk m’u kujtua.
Poezia është një nga rrugët e fotografimit të shpirtit tonë. Pas një dite të lodhshme, pas një rutine që e kryem përpiktazi si çdo ditë, na qëllon që pyesim: po pastaj? çfarë u kuptua? në këtë rrugë na duhet vetëm të numërojmë: një vit, dy vjet, dhjetë vjet, njëzet vjet dhe ja ku vajtëm tek ai vendi nga erdhëm.
Shkundemi atëherë dhe kujtohemi se bota që kemi brenda është shumë më tepër se rutina vrastare, që në fakt nuk drejtohet nga ne por nga të tjerë. Kujtohemi se janë kaq e kaq ngjyra, imazhe e përjetime që disi duhet t’i ruajmë, mos i lëmë të rrjedhin bashkë me ujërat e enëve që sapo u lanë nga lavamani. Atëherë kush është poet, kush e ka këtë fat e fatkeqësi bashkë, ndalet dhe merret me veten. Ai fotografon shpirtin e tij siç bën ti bie fjala te poezia “Kuptimi i një udhëtimi”:
Gjithë ky udhëtim i gjatë
vetëm për të zgjedhur vendin ku do të vdesim
si ngjalat që rikthehen Karaibeve
dhe elefantët humusit të butë të breglumenjve.
Ku do të vdesë i fundit imazhi im
cila derë do të përplaset më fort nga rryma e fortë.
… Fikim dritat. Bëhemi gati për gjumë.
Mendjet tona zverdhin si dy limonë në errësirë
të thartë, të hidhur, të pakënaqur nga vetja.
Poezia është një nga rrugët e kuptimit të vetes dhe botës përreth. Poeti është i krahasueshëm me filozofin, vetëm se ndryshe nga ai, duke qenë i marrë, ka avantazhin që askush nuk i kërkon llogari për argumentimin, për teorinë, për shkollën që ka ndjekur tek është munduar të hedhë dritë mbi të fshehtat e qenies dhe të shoqërisë njerëzore.
Filozofit ndoshta do t’i duheshin njëqind faqe për të provuar atë të vërtetë që poeti në dhjetë vargje mund të arrijë të na e ndriçojë si me blic, sikurse bën ti te poezia “Ca ulje e ngritje diafragme”:
Qyteti është zgjeruar. Një stacion i vetëm autobusi e ndan nga varreza …
Ca ulje e ngritje diafragme.
E ulur në stol, atje, pret një vejushë. Në dorën e mbledhur grusht
të hollat e gatshme për biletën. Gjashtë muajt e parë përdorte abone.
Kur të mbërrijë në shtëpi ajo do të shpëlahet deri në llërë me alkool
edhe pse në trup nuk ka as edhe një gërvishtje.
Kurse ajo që zbret, kthen kokën të fiksojë targën e autobusit që sapo e la
njësoj si numrin e amzës.
Lulet dhe gjinjtë të varur kokëposhtë.
Bie shi i butë – një apostrof,
shkurton ligjëratën midis dy botëve
… Nuk merret vesh kush e dha i pari shenjën e afrimit
qyteti varrezës, apo varreza qytetit. Një duet tango
ku ndërsa krahët shtyjnë, kofshët tërhiqen si rrymat
në ujëra neutralë.
Të shumta janë poezitë për vdekjen në këtë libër. Ti e shtrin pikëllimin, Luli, në mbarë botën, edhe sikur ajo të mos e kishte vetë; aty natyrisht vdekja luan rol qëndror veç jo në kuptimin e fatalitetit që mbulon me kotësi gjithçka tjetër, por në kuptimin filozofik që thashë, një objekt studimi për poetin.
Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, se fundja përse ka ende artistë dhe poetë kjo Botë? (edhe pse shpesh na duket sikur morën fund). Pikërisht pse ende nuk është shpjeguar si mbërritëm këtu, ku shkojmë nëse shkojmë gjëkundi, ku shkon vetë Bota. Më kujton klounin e Hajnrih Bëlit që thotë diku: Një artist vdekjen e ka gjithmonë me vete, ashtu si prifti i mbarë mesharin. Ndaj dhe më pëlqen kaq shumë edhe poezia tjetër: Shah:
Varret e të afërmve të mi,
me vetëm katër gisht kohë midis,
të vënë në radhë
si një varg makinash të bllokuara
në kryqëzim me hekurudhën.
…Ua pastroj emrat me kujdes në pllaka
Vitet.., si plagë të vogla në gjunjë
Dashurinë.., që tashmë djeg më pak
se një gjemb trëndafili.
Në të hyrë të varrezës
Roja që luan shah me veten në kabinë.
Ndoshta e ke patur frymëzimin nga “Vula e shtatë” e Bergmanit, ku kalorësi luan shah me vdekjen, ose ndoshta është domosdoshmëri dhe ne të gjithë duhet të luajmë shah me vdekjen, sepse ndryshe nuk shpjegohet që ai roja s’më hiqet nga mendja sikurse edhe dashuria që një ditë do të na djegë më pak se një gjemb trëndafili.
Nuk di se ç’thonë filozofët për të mesmen e artë, di që shumë njerëz e kanë zgjedhur dhe e praktikojnë atë në jetën e tyre nën shembullin e parë të latinit të urtë që ti e merr si pikënisje për poezinë IX të ciklit “E hëna në shtatë ditë”. Përfundimi yt është në polin e përkundërt me Romën:
Në mes je i shpëtuar- thoshnin latinët
Mbulesa e qëndisur në mesin e tryezës,
Tryeza në mesin e qilimit.
Qilimi në mesin e dhomës.
Dhoma në mesin e shtëpisë.
Shtëpia në mesin e bllokut.
Blloku në mesin e qytetit.
Qyteti në mesin e hartës.
Harta në mesin e dërrasës së zezë.
Dhe dërrasa e zezë.
Në mesin e hiçit.
Poezia është edhe rrugë e ringjalljes së asaj që nuk është më. Duke qenë që jemi kafshë me kujtesë, madje duke qenë kujtesa – në rastin më të mirë them, jo në rastet më të përhapura – ajo që na dallon nga kafshët e tjera, poezia kryen funksionin sublim të ringjalljes, të sjelljes në jetë të asaj që e dinim të vdekur.
Njerëzit mundohen ta kapin jetën e tyre, që aq keq u rrëshqet për duarsh, duke u ulur me njëri-tjetrin, duke molloisur e molloisur pa fund nëpër kafene, me sytë e lëngëzuar kur flasin për të kaluarën. Poeti ka dhuntinë dhe fatin që ta kryejë ringjalljen në vetminë e tij, të gjejë fjalët e duhura për një fotografim tjetër nga ai që përmenda më lart, fotografimin e së shkuarës p.sh. fëminisë së tij:
Mos më vër faj, nëse kam humbur sensin e të shikuarit afër.
Jam rritur pa një puthje në ballë në mbrëmje para gjumit
si gjiri i detit pa një liman. S’kam dëgjuar kurrë hapa të fshehtë
poshtë dritares, dhe rrallëherë pëshpërima në vesh.
Ullinjtë në oborr, ishin pronë e shtetit;
kanotjere e bërë shoshë nga vrimat- gjatë dimrave më të begatë,
dhe asnjëra prej kokrrave nuk mbërrinte në tryezë.
Dhe s’jam trembur kurrë nga një gotë e thyer
me shenjat e mia të buzëve – mund të kishte qenë një bestytni,
- asgjë nuk thyhej, enët laheshin atypëraty.
S’kam pasur kurrë një sirtar
që të mos lehte si kone e rrahur sa herë që futja duart…
Por poezia është edhe rrugë për të shkuar në vende që s’janë. Ky është ai që quhet gëzimi i krijimit dhe që gjen rrugë nga më të ndryshmet në krijues të ndryshëm. Këtë ti, Luli, e arrin më së shumti nëpërmjet abstragimit dhe metaforave. Poetë të tjerë shpikin ndoshta vende të paqena ose riprodhojnë ditën ëndrrat e natës.
Kurse ti krahason, hiperbolizon, kombinon dhe arrin kështu në struktura të çuditshme si struktura atomesh të paqena që kurrë një mikroskop nuk do t’i zbulojë e kurrë një programues nuk do t’i formulojë: për arsyen e thjeshtë se ato nuk të çojnë asgjëkundi, ato s’kanë vlerë tregu dhe nuk i shërbejnë rritjes së mirëqenies.
Porse kryejnë një shërbim tjetër të madh: na zbulojnë të vërteta të shpirtit tonë. Nuk janë këto identike me përjetimet ose fantazitë e tua, sepse kurrë dy njerëz nuk janë njësoj, porse janë të ngjashme me tonat dhe pikërisht kjo na jep gëzim kur i lexojmë.
Vite më parë kur shkonim nëpër qytete të Shqipërisë me lexime publike nga krijimet tona, të pata thënë më duket se sikur e tepron me krahasimet e tua, me ato si kjo e si ajo. Te ky vëllim vura re që i kishe disiplinuar si-të (vetiu në rrugën tënde të pjekjes, jo se gjete mësuesin tek unë) dhe tani metaforat vijnë buruar dhe organike, ato s’janë më gjymtyrë imazhesh, por vetë imazhet. Ja një shembull i thjeshtë nga poezia X e ciklit që përmendëm:
Edhe pse më abstrakt se kurrë
trupi është atdheu im pa himn.
me të cilin prekem në kllapi, në kufijtë e ekzistencës
si buzët e nënës mbi ballin e fëmijës me temperaturë…
kur është fjala
për mbijetesë.
Ja dhe një metaforë tjetër që më shtin në dhè nga zilia, pse është kaq e bukur:
Në mëngjes, veçanërisht në mëngjes
pjesët e mia të trupit shtrihen pa imazh, pa krisëm, pa formë,
si një armë e çmontuar mbi sofrabez.
Mund ta vazhdoja gjatë këtë udhëtim nëpër poezinë tënde Luli, por është punë dreqi sepse edhe këto shtjellime nuk të qetësojnë pasi nuk kryejnë dot diçka. Rruga më e mirë për t’u marrë me poezinë është ose të shkruash vetë ose të lexosh poezi si të tuat në heshtje.
Më vjen keq që ato janë dukuri kaq të rralla në jetën tonë, që njerëzit rendin e rendin, shpesh herë në tym dhe harrojnë të ndalen një çast, të marrin frymë thellë dhe të mendojnë për veten, si njerëz. Siç bën ti kur merr në duar ato armët e mnershme të zbërthimit të shpirtit.
Kush është
Luljeta Lleshanaku u lind në Elbasan më 1968. Nisi të botojë më 1991 dhe libri i saj i parë “Sytë e somnambulës” (1993) u prit mirë nga kritika. Vijë pas këtij, “Kambanat e së dielës” (1994), “Gjysmë-kubizëm” (1996), dhe përmbledhja me poezi të zgjedhura “Palca e verdhë” (2001) për të cilin vlerësohet me Çmimin “Penda e Argjendtë” nga Ministria e Kulturës. “Fëmijët e natyrës” (2008) është libri i saj i fundit i botuar në anglisht në SHBA nga “Neë Directions” (2010), e njëjta shtëpi botuese që pati botuar prej saj një përmbledhje poezish “Fresco”.
Përkthime të poezive të saj janë botuar në Grand Street, New Letters, Pleiades, Fence, Tin House, POOL, dhe Modern Poetry in Translation. Poezia e Lleshanakut është përkthyer në gjermanisht, frëngjisht, italisht, së fundi dhe në polonisht.
