0

Spiralja e hijshme e ngjitjes

agron tufa panairDua të rrëfej një Agron tjetër, atë që kam njohur afërsisht tetëmbëdhjetë vjet më parë dhe për romanin e tij më të fundit: “Tenxherja”.

Periodikisht kam mbajtur e botuar shënime për autorë e vepra që më kanë lënë mbresa: nga klasikët deri te bashkëkohësit, për shkrimtarë të njohur ose… aspak të njohur publikisht deri tani, nga letërsia shqipe e nga letërsia e huaj.

Ndër autorët që kanë qenë përherë në vëmendjen time është dhe Agron Tufa: poet, romancier, kritik letrar, polemist i palodhur, përkthyes dhe pedagog letërsie. I përmenda përnjëherësh këto fusha ku Agroni papërtueshëm kontribuon dhe shquhet si asnjë tjetër nga brezi i tij pasi dua të rrëfej një Agron tjetër…atë që kam njohur afërsisht tetëmbëdhjetë vjet më parë.

Te hyrja e filologjikut në Tiranë, një djalë i hollë dhe i gjatë si unë, i skuqur në fytyrë kur shkëmbente fjalët e para me të porsanjohurit, i druajtur, krejt i turpshëm dhe i mbyllur në vetvete, (si edhe unë), më foli: mos je Virioni? Jam Agron Tufa. Kështu ka nisur një nga miqësitë e mia më të mëdha.

Agroni kish pasion letërsinë e ky pasion e shpinte natyrshëm drejt njerëzish të rinj, të panjohur, drejt botësh të reja, të panjohura; gjente botime të rezervuara nga letërsia “dekadente”, i lexonte, i shpërndante, i kërkonte me mundim t’i mblidhte përsëri për t’i kthyer aty ku i kish huajtur; gjente sërisht libra të tjerë nga ata të rrallët, të ndaluarit dhe vazhdonte të nxiste te të tjerët etjen e fisme dhe shijen e hollë për lexime artistike.

Rastësisht mësova se dhe ai vetë kish poezi të shkëlqyera. Një cikël i botuar te “Zëri i rinisë”: më ngeli çuditërisht në mendje ai dyfaqësh gazete, nga vargu i parë deri te vargu i fundit. Kur u takuam për herë të dytë, me të mbajtur hapat para meje Agroni deshi të më freskonte pak kujtesën…jam…Unë e ndërpreva duke përsëritur vargjet e tij që kisha lexuar te “Zëri”: sopata provoi pak tul të bardhë plepi…

Ndryshe nga ne që e mbyllëm ciklin e formimit universitar në qoshkat dhe kthinat e rrënuara të Tiranës arkaike e gjumashe, formimi i Agronit mori rrugë të mirë me kryerjen e studimeve universitare dhe pasuniversitare në Moskë. Prej andej u kthye me një roman të shkëlqyer si “Dueli”.

Kam shkruar disa herë për këtë roman, jo për hir të autorit, por për shkak të atij vetë, për shkak të “Duelit”: triller fantazmagorik, autobiografi, traktat vetjak-estetiko-filozofik, blasfemi ndaj moralit dhe shkrimit artistik, e shumçka tjetër.

Nga Moska Agroni erdhi me shije të shëndoshë letrare dhe kulturore, me vetëdije më të thellë e më të kthjellët për kulturën dhe gjuhën amtare, me shpirt artistik të etur e të arrirë njëkohësisht për t’u hapur denjësisht në botën e madhe letrare; në të përjavshmen e tij letraro-kulturore “Fjala” janë botuar dhjetëra shkrime kritike, analiza letrare, komente; janë botuar dhjetëra cikle poezish të mrekullueshme, tregime, portrete artistësh, polemika dhe recensione që kanë shërbyer dhe do të shërbejnë si pika orientimi për lexuesit dhe studiuesit, për shumë kohë.

Kanë kaluar vite nga dita kur Agroni prezantohej thjesht si lexues, si adhurues librash, si dashamirës i letërsisë artistike e vetëm kaq, asgjë tjetër, ju betohem, asgjë tjetër.

Edhe unë bëja pjesë te ata që shkruanin vetëm për vete, në fshehtësi; para dite talleshim me pjesëtarët e rretheve letrare, mbasdite uleshim dhe shkruanim ashtu si ata, pa pretendime, vetëm për vete; para dite ironizonim të talentuarit dhe të talentuarat e vetëshpallura me zhurmë, kurse mbasdite a natën vonë, njëlloj si miqtë dhe bashkëmoshatarët tanë i hipnim revan të njëjtit Rosinant. Kanë kaluar vite…

Shumë prej nesh e shtruan kurrizin si mjet ndenjës për idhujt e rinj të epokës së tregut; disa u bënë shqytarë me pagesë e disa cinikë vetëvrasës; shumica braktisi fizikisht atdheun, disa braktisën vetëm idealet e dikurshme; disa u kthyen shëndosh e mirë në paqen e prozaizmit të përditshëm, disa u dashuruan befasisht me gjërat dikur të urryera; disa udhëtojnë drejt “yjesh”, rendin sipër resh duke u kapardisur mbi kapica parash të vjedhura, të ndyra; disa të paktë, fare të paktë në numër mbetën sërish ata që ishin: të sinqertë me veten, të dashuruar pastërtisht me jetën, të bashkuar marrëzisht me letërsinë, në një lidhje dramatike, të hijshme dhe flijuese.

Agroni është ndër të zgjedhurit, ndër të mbijetuarit e pakët; i shkruaj këto fjalë sepse njoh jetën e tij, i shkruaj këto fjalë respekti pasi kam lexuar edhe romanin e tij më të fundit: “Tenxherja”.

Tre vjet më parë, kur po nxitoja rrugicave të ish bllokut për një takim pune te botuesit e mi, te “Shekulli”, ma rrëfente udhës atë që mund të quhet historia bazë e romanit: mendova se gurët e çmuar të atij mozaiku liriko-dramatik po zbuloheshin për herë të parë dhe të fundit vetëm për mua; u tremba për të dhe për historinë e tij familjare aq sa e ndërpreva: të lutem Agron, mos më trego më tani, shkruaji ndonjëherë të gjitha këto, shkruaji, ia vlen…Lexuesit e kanë në duar tani atë histori të shndërruar mjeshtërisht në roman, botuar e prezantuar me dinjitetin dhe profesionalizmin e duhur.

“Tenxherja” nuk është roman botëkuptimor, nuk është roman-lumë, roman-ide, roman-eksperiment; nuk është as sagë e mirëfilltë familjare; është rrëfim lirik, i pafajshëm dhe imponues, elegjiak dhe ngazëllyes, parodizues dhe tronditës njëkohësisht; “Tenxherja” është kristali bazë, miniatura planimetrike e një shpirti të fuqishëm krijues që, në përplasje me kohët e reja do të vijë duke u zmadhuar, duke u përsosur; ky libër i vyer nuk do të ndihmojë shumë në qëndrimin vertikal të autorit përkrah të mëdhenjve të letërsisë në botë, por do të jetë rrëfim i pazëvendësueshëm për autorin dhe për të ngjashmit e tij, sikurse është e pazëvendësueshme nënkresa e gjyshit pranë oxhakut të vatrës familjare, siç është i pazëvendësueshëm prehri i nënës për të cilin, të gjithë, pa përjashtim do të kemi mall e nevojë në jetë të jetëve.

Kultura

Leave a Reply

*