Meshkujt apo femrat që dëshirojnë të martohen me të njëjtin seks duhet që të presin deri sa të bindin shumicën e deputetëve të Kuvendit për të ndryshuar një pikë të nenit në Kodin e Familjes që e ndalon këtë gjë.
Projektligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi” I cili ka nisur dje të diskutohet në komisionin përgjegjës atë të Shëndetësisë, nuk merr përsipër që të legalizojë një marrëdhënie të tillë aq shumë të lakuar gjatë verës që lamë pas, kur kjo nismë u anonçua nga vet kryeministri Berisha gjatë një mbledhje qeverie.
Madje iniciatorët e këtij drafti, organizatat joqeveritare, bëjnë të ditur se një gjë e tillë nuk ka qenë asnjë herë synim i tyre, pasi për të konkretizuar një zhvillim të tillë kërkohet jo vetëm angazhim prej tyre, por së pari vullnet politikë për të ndryshuar Kodin e Familjes, I cili hynë tek ato ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar prej 84 votash për tu miratuar.
Ka qenë kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Vjollca Meçaj, si një nga organizatë joqeveritare që ka kontribuar direkt në hartimin e dispozitave të këtij drafti, ajo që ka sqaruar dje se drafti që I është paraqitur Kuvendit nuk ka si qëllim të tillë të vendos institucionin e martesës edhe për persona të së njëjtës gjini.
“Ky ligj nuk legalizon martesat, shpjegon atë parim kushtetues të mosdiskriminimit. Pra të prekësh kodin e familjet, kodet e procedurës nuk është detyrë e këtij ligji. Është ligj i thjeshtë që ka detyrë të shpjegojë kuptimin e diskriminimit dhe ti mbrojë qytetarët nga mosdiskriminimi”, – tha Meçaj.
Madje në rolin e propozuesit të këtij drafti, ajo ka sqaruar se ligjërimi i martesave të tilla nuk ka qenë asnjëherë qëllim i tyre, duke bërë të qartë kështu se deklarata e kryeministrit për këtë çështje nuk ka pasur si shtysë qëndrimin e shoqërisë civile.
“Unë nuk e di programin e qeverisë. Nëse flisni për projektligjin, ky është. Edhe unë e kam ndjekur kryeministrin, në kohën kur ai është shprehur projektligji nuk kishte marrë formën përfundimtare dhe nuk mund të flas këtu për programet e mëtejshme të qeverisë. Në këtë projekt asnjëherë nuk është folur për martesën ose për gjëra të tjera sepse ato janë institute që parashikohen nga ligje të tjera”, – tha më tej Meçaj.
Seanca e djeshme ka qenë krejt formale pasi deputetët janë njohur vetëm me realizimin që i ka bërë kësaj nisme një nga deputetet firmëtare të tij, aktores Rajmonda Bulku, e cila ka bërë një prezantim të shkurtër të asaj që vjen si risi me këtë projektligj, por ku natyrisht nuk flitet për atë që kishte marrë përsipër kryeministrit të ligjëronte, pra martesën e homoseksualëve.
***
K/Ministri Berisha ne 30 korrik 2009: Në Shqipëri, ligji pro martesave gay
Kryeministri Sali Berisha ka lëshuar një “bombë” të vërteta në një takim ndërministror për integrimin, duke deklaruar se Shqipëria do jetë një nga vendet ku do lejohen martesat gay.
Berisha tha se projektligji i përgatitur nga një organizatë joqeveritare në Tiranë ka mbështetjen e tij dhe do dërgohet nga qeveria në parlament.
“Ky ligj është i sponsorizuar nga shoqëria civile. Pavarësisht nga debatet që mund të ngjallë , diskriminimi është i papranueshëm. Kjo synon vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese e një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet europiane” – tha Berisha.
*******
Deklaratat e Kryeministrit dënohen ashpër nga komuniteti fetar në vend.
24 orë pas deklaratës së Berishës, ka reaguar Kisha Katolike, Kisha Ortodoske dhe Xhamia.
Priftërinjtë dhe imamët argumetnojnë se martesat mes sekseve të njëjta kërcënojnë seriozisht martesën dhe nuk do të kenë kurrsesi bekimin e tyre madje iu bëjnë thirrje politikanëve që të mos bien në mëkat.
“Ne rast se sot lejohen martesat mes homoseksualeve, në të ardhmen do të kërkohet adoptimi i fëmijeve, gjë që do të çoje në shkaterrimin e familjeve. Sot duhet te luftojme kunder divorceve dhe jo te lejojme martesa te tilla”, tha për median Monsinjor Gjergji Frendo.
Ndërsa imami i Xhamisë së Tabakëve, Elvic Naci, thotë se ky akt shihet si nje mekat i madh, ndaj parlamentaret nuk duhet te bëhen pjesë e kësaj nisme ligjore.
Për Kishën Ortodokse, veprimi dhe akti që kryhet mes dy njerëzve të së njëjtës gjini është i dënueshëm. “Për këtë arsye çdo lloj veprimi aq më tepër kur ato bëhen edhe ligjore nuk shikohet me sy të mirë dhe nuk mund të aprovohet nga ana jonë si besimtarë dhe si Kishë. Mendoj se është diçka e nxituar pas në Shqipëri ka probleme të mëdha sociale”, u shpreh Peshkopi i Kishës Ortodokse Andon Merdani.
Me legjitimimin e martesave gay ne bëhemi vend i përparuar që nuk lejojmë diskriminim. Kjo sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha. Ndërsa sipas, Mon Sinjor Frendos, shteti duhet të mbrojë konceptimin e martesës dhe familjes. Ai argumeton se “sot martesa dhe familja janë në rrezik për arsye se janë në rritje numri i divorceve, ndaj të mos e shtojmë rrezikun duke transformuar konceptin e martesës”.
*************
Shqipëria nuk e ka përcaktuar qartë në Kodin e Familjes
TIRANË – Momentalisht, Shqipëria nuk e ka përcaktuar qartë në Kodin e Familjes çështjen e homoseksualëve. Neni gjashtë i Kodit thotë: “Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç”.
Kjo fjali e ndërtuar me 15 fjalë, është i gjithë kuadri ligjor shqiptar për këtë çështje. Kjo do të thotë se homoseksualët nuk do të dënohen nga ligji për veprimet e tyre, por nga ana tjetër, nuk u lejohet që të ligjërojnë bashkimin në një familje të tipit grua-grua ose burrë-burrë.
“Një ligj tjetër është shumë i rëndësishëm kundër diskriminimit. Ky ligj është ofruar nga shoqëria civile dhe ka të bëjë me të drejtat e pakicave të qëndrimeve të caktuara. Këtë ligj e ka përgatitur shoqëria civile”,- tha dje Kryeministri Berisha. Ai shpjegoi se me anë të këtij ligji do të shihen qartësisht qëndrimet që do të mbahen kundrejt homoseksualëve, si dhe mënyrat se si ata mund të favorizohen.
“Unë mendoj se, pavarësisht nga debati që mund të ngjallë ky ligj, diskriminimi është i papranueshëm. Ky ligj ka të bëjë me të drejtat e martesave brenda gjinisë dhe probleme të tjera të kësaj natyre”,- tha dje Kryeministri Berisha, duke iu referuar ligjit për të drejtat e homoseksualëve.
Por, menjëherë kjo thënie është shoqëruar me të qeshurat e ministrave, të cilët ishin krejt të papërgatitur për këtë gjë. Edhe vetë ata e kishin të vështirë të besonin këtë projektligj të ri të Kryeministrit.
Berisha shtoi: “Ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi. Fatmirësisht, nuk ka një qëndrim armiqësor mediatik dhe kjo është një arritje e vërtetë. Me mirë të veprojë ligji, siç veprohet me të gjitha përkujdesjet për të zhdukur diskriminimin”,- përfundoi Berisha.
********
Zgjidhja franceze
Shumë vende europiane kanë pasur presione të forta në lidhje me homoseksualët, martesën e tyre, por edhe kërkesën për të adoptuar një fëmijë. Një zgjidhje racionale është dhënë nga Franca.
Në këtë shtet, dy homoseksualë paraqiten në njësinë e qeverisjes vendore, bashkia ose komuna, dhe kërkojnë që të regjistrohen si homoseksualë. Ata pajisen me një dokument “Pacte Civil de Solidarité”, që do të thotë se shoqëria i pranon për atë që janë, i njeh për atë që janë dhe i lejon që të bashkëjetojnë lirisht.
Kjo zgjidhje ka lënë të kënaqur komunitetin gay dhe pjesën tjetër të personave që ishin kundër martesave të homoseksualëve. Për, në vitin 2004, çifte gay thyen rregullat dhe u martuan. Që nga ajo kohë ka nisur një debat i ashpër ligjor ku gjykatat anulojnë martesat gay.
Britania
Edhe britanikët kanë gjetur një zgjidhje interesante për martesat gay. Termi që përdoret për çiftet gay që bashkëjetojnë është “Partnership civil”. Kjo i jep çifteve gay të gjitha të drejtat e martesës por jo një martesë legale. Partia Jeshile kërkoi legalizimin e martesave gay por kryeministri Gordon Braun e rrëzoi këtë kërkesë.
Kodi i Familjes
Sipas juristëve, ligji pritet që të ketë një rrugë të vështirë deri në miratim. Kjo për faktin se, një ligj që lejon martesat e homoseksualëve, bie ndesh me Kodin e Familjes. Pra, ndryshimet duhet të nisin që nga Kodi i Familjes, i cili është një ligj i rëndësishëm që kërkon 84 vota dhe kjo është e vështirë për t’u arritur.
MARTESA
KREU I
KUSHTET THELBËSORE PËR LIDHJEN E MARTESËS
Mosha e lidhjes së martesës
Neni 7
Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë
mbushur moshën 18 vjeç.
Gjykata e vendit ku lidhet martesa, për shkaqe me rëndësi, mund
të lejojë martesën edhe përpara kësaj moshe.
Ballauri:
“Në politikën shqiptare ka homoseksualë”
TIRANË – Ligji për të drejtat e homoseksualëve është hartuar nga shoqëria civile, e cila më pas ia ka prezantuar Kryeministrit Berisha. Një ndër hartueset kryesore të këtij projektligji është Elsa Ballauri, kryetarja e Grupit Shqiptar të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Zonja Ballauri ka shpjeguar në një intervistë për “Shekulli”-n të gjitha detajet e këtij ligji, por edhe arsyen përse duhet bërë.
“Homoseksualët janë një grup njerëzish që jetojnë një jetë të vështirë, të ndrydhur nga paragjykimet e familjarëve, të shoqërisë, të shtetit, madje shpesh edhe të vetes së tyre”,- thotë ajo. Por, nga ana tjetër pranon edhe ekzistencën e homoseksualëve në jetën politike shqiptare, edhe pse deri më tani asnjë prej tyre nuk e ka pranuar këtë gjë.
Znj.Ballauri përse është bërë ky ligj në këtë moment të caktuar? Kaq i madh është numri i homoseksualëve në Shqipëri, sa është i nevojshëm hartimi i një ligji?
Gjithmonë njerëzit i preokupon enigma. Realisht nuk ka një shifër, sepse shifra mund të ketë efekt në rastin e një studimi real dhe të çliruar nga paragjykimet.
Homoseksualët janë një grup njerëzish që jetojnë një jetë të vështirë, të ndrydhur nga paragjykimet e familjarëve, të shoqërisë, të shtetit, madje shpesh edhe të vetes së tyre. Si rrjedhim, ende nuk është koha e një shifre, po nuk është as koha e injorimit të tyre si një komunitet shumë i përhapur.
Ne, si mbrojtës të të drejtave të njeriut, nuk na bën përshtypje sasia, por ekzistenca. Për sa kohe ata ekzistojnë, atëherë duhen mbrojtur.
Sa për momentin, ai është gjithmonë oportun, natyrisht, tani më shumë se çdo herë tjetër, sepse ndodhemi në periudhën e dhënies së provimeve përpara Europës.
A nuk mendoni se është pak herët për një ligj të tillë, në një kohë kur shqiptarët njihen si një
popull homofob?
T’i vësh vetes emërtime të tilla, nuk më duket e drejtë. Shqiptarët janë aq homofobë sa ç’ka qenë dhe është çdo vend tjetër. Po të shohësh historinë e popujve të Europës, ata janë zhvilluar nëpërmjet një homofobie të egër. Shqiptarët kanë nevojë për një edukim ndryshe dhe ky ligj është një nga të parët mekanizma për t’i edukuar ata. Nëse ligji implementohet siç duhet, homofobia shqiptare do të humbasë forcën e saj.
Si arritët të bindni Kryeministrin Berisha për të pranuar një ligj të tillë?
Kur unë e kam takuar Berishën, ai ishte i bindur dhe plotësisht dakord me ligjin. Kjo më tregoi mua që kisha të bëja me një politikan të mençur dhe pragmatist.
A ka homoseksualë ose homofobë në politikën shqiptare?
Natyrisht që ka.
shekulli.com.al
