STRASBURG – Qytetarët e shteteve jashtë BE-së që kanë marrë një vizë tre mujore në një nga vendet e zonës Shengen, lejohen të udhëtojnë lirshëm në të gjitha shtetet e tjera të kësaj zone. Kjo në bazë të rregullores së re që miratoi sot Parlamenti Evropian.
Rregullorja e re e PE-së me 562 vota pro, 29 kundër dhe 51 abstenime, do të hyjë në fuqi më 5 prill të këtij viti.
Rregullat e reja, synojnë të rrisin lëvizjen e lirë dhe nuk do të kenë elementë shtesë të sigurisë në porte apo aeroporte. Por këto rregulla nuk do të zbatohen në asnjë rast në Britani të Madhe, Irlandë dhe Danimarkë, pasi këto shtete nuk janë pro kësaj rregulloreje.
Me legjislacionin e ri, një vizë D afatgjatë (më shumë se tre muaj) i mundëson shtetatit nga vendet jashtë BE-së, që të qëndrojë tre muaj brenda një periudhe 6 mujore në të njëjtat kushte, si një shtetas me leje qendrimi jashtë. Shumica e shteteve të BE-së do të jenë në gjendje të përdorin Sistemin Informativ Shengen (SIS), për të konsultuar listat e udhëtarëve.
__________
12:00
Parlamenti Evropian ka diskutuar lidhur me heqjen e regjimit të vizave për vendet e zonës Shengen për qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.
Debati kishte në qendër diskutimin dhe ndryshimet në rregulloren për Konventën e zbatimit të Marrëveshjes Shengen.
Eurokomisionerja për çështjet e brendshme, Sesilia Malmstrom ka rënë dakord me vërejtjet e paraqitura nga europarlamentarja Fajon për të mënjanuar çdo pengesë të panevojshme në lëvizjen e lirë.
Gjatë ditës çështja e liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën do të jetë në qendër të takimit të europarlamentares Fajon me eurokomisionerin për zgjerim Shtefan Fule.
___________________
Aguilar, letër KE-së: Përshpejtoni vizat për Shqipërinë e Bosnjen
Kryetari i Komitetit për Lirinë, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, Juan Fernando Lopez Aguilar i ka kërkuar KE-së përshpejtimin e procedurave për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Kërkesa është bërë përmes një letrë që Aguilar i ka dërguar Komisioneres për Çështjet e Brendshme të Komisionit Europian Cecilia Mallstrom.
Në letër, ai i kujton komisioneres së KE-së se në prill të këtij viti, ishte parashikuar që të lexohej në Parlamentin Europian progres-raporti për vendet ballkanike, por kërkesa nuk është bërë ende.
Nisur nga kjo, Aguilar thotë se vonesa vë në diskutim marrjen e një vendimi nga PE brenda qershorit, kohë kur sipas tij është edhe mbyllja e sesionit të verës.
“Çdo vonesë, sidomos ndërmjet publikimit të raportit vlerësues dhe propozimit legjislativ pas muajit prill, zvogëlon mundësitë e parlamentit për ta përfunduar procedurën legjislative përpara ndërprerjes së punimeve për sezonin e verës”- shkruhet në letër.
Më tej, Aguilar pohon se përfshirja personale e Cecilia Mallstrom mund të bëjë ndryshimin dhe t’i lejojë parlamentit e këshillit të përmbushin premtimin e deklaratës së nëntorit. Ai duke iu referuar deklaratës, kujton se në të thuhej se propozimi në fjalë do të trajtohet si çështje urgjente.
___________
Vizat dhe anëtarësimi i Shqipërisë, Bizjak: Jo fjalë, reforma konkrete
“Shqipëria ka ende detyra për të përmbushur për liberalizimin e vizave dhe shumë sfida të tjera për anëtarësimin në BE”. Kështu është shprehur Ivan Bizjak, Drejtor i Përgjithshëm për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme në Sekretariatin e Përgjithshëm të Këshillit të BE-së, gjatë një interviste për Deutsche Welle.
Deklarata ka ardhur pas pyetjes se si i kanë shanset në vijim për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën, dy vendet që u përjashtuan nga Shengeni ndërkohë që fqinjët fituan liberalizimin.
“Unë shpresoj se kjo do të bëhet e mundur edhe për të dy vendet e rajonit. Unë nuk jam në gjendje tani t’ju them ekzaktësisht se si do të jetë vlerësimi pas pak muajsh, por jam i sigurtë se dhe Shqipëria e Bosnje Hercegovina e kanë të qartë se çfarë duhet të përmbushin”- ka thënë Bizjak, duke shtuar më tej se kjo nuk është kaq e thjeshtë.
Sipas tij, liberalizmi i vizave është vetëm një aspekt i rrugës plot sfida drejt anëtarësimit të plotë në BE.
“Kjo kërkon shumë punë dhe energji. Duhen konsoliduar institucionet, të garantohet sundimi i ligjit, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, të respektohen të drejtat e njeriut, të ketë konkurrencë të lirë në treg etj., reforma bindëse dhe që japin efekte pozitive tek qytetarët dhe mirëqenia e tyre. Kjo arrihet jo vetëm me fjalë, por dhe me vepra konkrete. Sepse problemet do të jenë më të pakta kur procesi kalon më shumë në planin konkret”- tha ai.
_________________
Ambasadori gjerman: Të pakënaqur me ecurinë e punimeve të Parlamentit
VLORË – Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, gjatë një vizite në Universitetin e Vlorës u shpreh se “kancelaritë e huaja janë të pakënaqura me ecurinë e deritanishme të punimeve në Parlament”.
Sipas tij, nëse vazhdon kriza, integrimi i Shqipërisë që nënkupton drejpërdrejt liberalizimin e vizave edhe marrjen e statusit kandidat është i rrezikuar.
Më tej ai u shpreh se “ne inkurajojmë me ndihmën tonë zgjidhjen e situatës, pasi gjithçka tjetër ndikon në ngadalësimin e procesit, si të integrimit të Shqipërisë drejt Europës ashtu dhe në liberlizimin e vizave me vendet e bllokut”.
Kjo gjë, tha ai, ndikon në vendimarrjen e Europës kundrejt futjes së Shqipërisë në familjen e madhe dhe sistemin e Shengen.
I pyetur për vizat, ai tha se “s’mund te them një datë sepse organizma të tjerë vendosin pasi të analizojnë situatën në vend, si menxhimin e kufijve, kurbën e shtetit shqiptar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar e të tjerë”.
_______________
Ministrat e rajonit, apel BE-së: Përshpejtoni vizat për Shqipërinë e Bosnjen
5 mars
Ministrat e Brendshëm të Europës Juglindore të mbledhur në Tiranë për konferencen mbi Sigurinë e Kufijve deklaruan sot se do t’i kërkojnë Bashkimit Europian të përshpejtojë procedurat për liberalizmin e vizave me Shqipërinë. Deklarata u lexua në mbyllje të konferencës nga ministri ynë i Brendshëm Lulzim Basha.
“Duke pranuar përparimin dhe rezultatet konkrete të reformave në Shqipëri, ministrat e Brendshëm i bëjnë thirrje BE të përshpejtojë vendimarrjen për të garantuar regjimin e lëvizjes së lirë, Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës, duke njohur progresin që këto dy vende kanë bërë në përmbushjen e plotë të kritereve për të përfituar liberalizimin e vizave”, u shpreh ministri Basha.
Vendi ynë gjendet në fazën e vrojtimit, theksoi ai. Sapo ka përfunduar inspektimi nga ana e ekspertëve europianë të cilët vizituan vendin tonë në muajin shkurt ku panë se si janë zbatuar kërkesat e udhërrëfyesit. Brenda muajit prill, Komisioni Europian do të bëjë një raport vlerësimi në bazë të së cilit varet edhe vendimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi Shqipërinë.
Fajon: BE të mos ndikohet nga shembujt në Maqedoni e Serbi
Ajo çfarë ka ndodhur me azilkërkuesit nga Maqedonia e Serbia “në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtojë liberalizimin e vizave këtë vit për Shqipërinë dhe Bosnjën”. Kështu ka deklaruar sot europarlamentatja, Tanja Fajon.
Lajmet e fundit për rritjen e numrit të strehimkërkuesve nga Serbia dhe Maqedonia në Belgjikë dhe Gjermani kanë krijuar dilema dhe drojë nëse liberalizimi i vizave ishte një vendim i drejtë. Ndaj Fajon tha se “kërkoj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin përgjegjësinë jo vetëm për të përmbushur kriteret, por dhe t’i dërgojnë njerëzve një mesazh të qartë rreth asaj se çfarë do të thotë realisht liberalizimi i vizave. Politikanët duhet të ndalojnë menjëherë fluksin e migrantëve të rinjë që kërkojnë strehim në vendet e BE-së”.
Nga dhjetori i kaluar banorëve të këtyre vendeve iu hoqën vizat për vendet e zonës Shëngen. Mijëra shtetas të Maqedonisë por edhe të Serbisë kanë kërkuar strehim politik në vendet e BE-së.
Nderkohë Partia Demokratike do të propozojë të enjten e ardhdhme një rezolutë ne Parlament për liberalizimin e vizave. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, sipas të cilit çdo aktor tjetër duhet të japë kontribut për këtë proces shumë të rëndësishëm për vendin tonë. Patozi këmbënguli se qeveria ka një prioritet të padiskutueshëm çështjen e liberalizimit të regjimit të vizave, duke nënkuptuar edhe mbështetjen e opozitës.
___________________
Azilkërkuesit ballkanas pushtojnë Belgjiken e Gjermaninë
3 mars
Komisioni Evropian do të mbledhë informacion mbi fenomenin e rritjes së frikshme të numrit të azil-kërkuesve nga Maqedonia dhe nga Serbia në vendet e Bashkimit Evropian pas liberalizimit të vizave me këto dy vende.
Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ministrave të çështjeve të brendshme dhe të drejtësisë së BE-së, pritet ta përfshijë këtë temë në agjendën e takimit të ardhshëm.
Ishin pikërisht këta ministra që vitin e kaluar dhanë dritën jeshile për heqjen përfundimtare të vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi.
Gjatë mbledhjes së radhës që zhvilluan në Bruksel, Komisionerja evropiane për çështjet e brendshme dhe të drejtësisë, Cecilia Malmstrom, u shpreh se kjo çështje nuk u diskutua fare, por unë dëgjova gjatë ditës së sotme se kjo çështje është ngritur me disa vende anëtare të BE-së dhe se ministri belg do të udhëtojë për në Shkup për të diskutuar mbi këtë çështje. Pra unë jam në dijeni të një debati mbi këtë dhe Komisioni do të mbledhë sigurisht informacione mbi këto ngjarje për të parë se çfarë po ndodh”.
Fenomeni i eksodit masiv nga shqiptarët që jetonin në Kumanovë dhe në fshatrat e Likovës si dhe nga ata që jetonin në jug të Serbisë, në luginën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, u evidentua në Belgjikë nga rritja e numrit të azil-kërkuesve në dy muajt e parë të vitit 2010. Mbi 700 qytetarë nga këto dy vende kanë kërkuar azil në Belgjikë në këtë periudhë kohore, shifër kjo që përkon më dyfishin e personave që kanë kërkuar azil nga këto dy vende gjatë gjithë vitit të kaluar.
Shanset e tyre për të përfituar azil janë inekzistente. Një pjesë e mirë e tyre pasi shesin pasuritë në vendet nga vijnë përfundojnë rrugëve të Brukselit pa strehë dhe pa mikpritjen e duhur, ndërsa fati që i pret është refuzimi, dëbimi dhe heqja e të drejtës për të udhëtuar në vendet Shengen për ta dhe për të afërmit e tyre. /Alsat/
Gazeta Shekulli
