0

Fondi rezervë u prek 35 herë në katër muaj

Qeveria shpenzoi 10 milionë USD për raste emergjente, ose 41%. Ku shkuan paratë

Fondi rezervë i qeverisë, që përdoret për raste emergjente të paparashikuara në buxhet, është prekur 35 herë, përmes vendimeve të ndryshme. Ministria e Financave konfirmon shifrën, duke saktësuar se janë shpenzuar për katër muajt e parë të vitit rreth 10 milionë dollarë, ku një pjesë i takon përmbytjeve në Shkodër, tërmetit në Dibër, si dhe disa dëmtimeve në lumenj dhe shtëpi nga lëvizja e dheut. “Deri në fund të muajit prill të vitit 2010, fondi rezervë i buxhetit të shtetit është prekur nëpërmjet 35 vendimeve të Këshillit të Ministrave, në shumën prej rreth 1 miliard lekësh, nga 2.5 miliardë lekë të planifikuar për t’u përdorur, ose rreth 41.1 për qind e tij”, raporton Ministria e Financave. Me diferencën e mbetur, qeveria shqiptare duhet të tregohet më e kujdesshme, pasi në tetë muajt e vitit i kanë mbetur edhe 1.5 miliardë lekë, në një kohë që po parashikohen shkurtime të buxhetit.

Nga 35 vendime të Këshillit të Ministrave të miratuar për përdorimin e fondit rezervë për këtë periudhë të parë të vitit 2010, katër vendime, me vlerë totale prej rreth 37.1 milionë lekësh, nuk ishin ekzekutuar akoma deri në fund të marsit dhe si rrjedhojë e këtij fakti, vlera e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, e papërdorur, deri në fund të muajit prill ishte rreth 1.5 miliardë lekë.
Nga fondi i ekzekutuar, prej rreth 991.3 milionë lekësh, rreth 2.2 për qind është përdorur për shpenzime personeli, rreth 61.3 për qind për shpenzime të tjera korente dhe 36.5 për qind për investime.

Duke i ndarë në zëra sipas institucionit, rreth 24.5 për qind e fondit rezervë, ose 251.4 milionë lekë i janë dhënë Ministrisë së Brendshme, nga të cilat Ministria e Financave përmend fondet për emergjencat civile në Qarkun e Shkodrës, për të përballuar situatën e shkaktuar nga përmbytjet natyrore; fondet për dëmet e shkaktuara në objekte, pronë private, si rrjedhojë e tërmetit, në Qarkun e Dibrës; fondet për Komunën Paskuqan të Qarkut të Tiranës, për zbatimin e projektit emergjent “Rrëshqitja e varrezave në Paskuqan, për marrjen e masave rehabilituese dhe mbrojtëse”; fondet për zbatimin e projektit “Rehabilitimi i mbulesave të pallateve në lagjen nr.1, Kukës”; fondet për Bashkinë e Krujës, të Qarkut të Durrësit, për zbatimin e projekteve emergjente, që lidhen me marrjen e masave rehabilituese dhe mbrojtëse nga fatkeqësi të ndryshme”.

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve ka shpenzuar 244 milionë lekë ose rreth 23.7 për qind, për ndërhyrjet emergjente në objektet e mbrojtjes nga përmbytja dhe
digat e rezervuarëve dhe për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Për Kryeministrinë është përdorur rreth 17.4 për qind e këtij fondi, ose rreth 179.1 milionë lekë, për pagesën e zyrës së PNUD-it, si dhe për dy shtesa në buxhetin e saj. Rreth 55.4 milionë lekë, ose 5.4 për qind e këtij fondi është përdorur për dhënie ndihme financiare qeverisë së Kosovës, për realizimin e projekteve të propozuara për Komunën e Graçanicës, Kosovë.

Në sektorin e shëndetësisë, është akorduar rreth 42.8 milionë lekë, ose rreth 4.2 për qind e totalit të fondit rezervë të Këshillit të Ministrave. Ky fond ka shërbyer kryesisht për të përballuar shpenzimet, të cilat lidhen me kurimin e personaliteteve dhe të njerëzve, që kanë pasur nevojë për kurim jashtë vendit dhe për mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e implantimit koklear, për disa fëmijë. “Gati 37.3 milionë lekë, ose rreth 3.6 për qind e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, i janë akorduar Ministrisë së Financave, për kryerjen e rikonstruksionit të Akademisë së Trajnimeve të Administratës Tatimore dhe Doganore, për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore”, evidenton Ministria e Financave.

Ekonomia

Leave a Reply

*