0

Shën Valentini, festa e biznesit

san valentino NE Tirane 14 shkurt e diel te bllokuRrugët e kryeqytetit dje kanë qenë të mbushura me fletëpalosje dhe reklamues të kompanive tregtare
Dhuratat e preferuara të shqiptarëve: argjendi dhe sendet e luksit. Nuk mungonin as lulet

Koha nuk ka qenë bashkëpunëtori më i mirë i të dashuruarve dje. Ishte 14 shkurt dita kur në të gjithë botën, çiftet i shprehin dashurinë njëri-tjetrit. Për të dashuruarit shqiptarë, dita e djeshme ka rezervuar lule, dhurata, një shëtitje përgjatë bulevardit”Dëshmorët e Kombit” ose nga kodrat e Liqenit. E për ata që kishin ca më shumë lek në portofol, një vakt romantik ose një party në lokalet e natës.
Ajo që në të gjithë botën konsiderohet si një festë private, e intime në vendin tonë ka marrë një tjetër drejtim. Këtu nuk ka lule e çokollatë por një garë, për dhuratën më të shtrenjtë, një simbol në flori apo argjend, një celular i tipit të fundit apo ora luksoze.
Këto janë disa nga dhurata që shitësit e dyqaneve veçojnë si më të kërkuarat për këtë vit. Por duket sikur tarifa e caktuar për t’u shpenzuar për festën e të dashuruarve, këtë vit është prekur paksa nga kriza ekonomike.
Sipas shitësve të dyqaneve këtë vit të dashuruarit shqiptarë janë përqendruar më shumë tek dhurata e argjendit, byzylyk për të dyja gjinitë. Ndërsa dhuratat e dyta në radhë kanë qenë bizhuteritë (për vajzat) dhe orë dore (për meshkujt). Për mendimin e shitësve të luleve këtë vit është shpenzuar pakëz më shumë për lulet.
Ndër to dy kanë qenë më të preferuarat: trëndafilat dhe karafilat e kuq, dhe të tretat në radhë buqetat e vogla. Këtë vit ndryshe nga më parë, në cepat e trotuareve mund të shihje edhe shitës ambulant që tregtonin vogëlima, në ngjyrë të kuqe, si një kujtim për këtë festë
Një mbajtëse çelësi e kuqe në formë zemre, një zarf, me mbishkrimin “të dua”, një zemër e ndarë në dy pjesë, etj, ishin këto disa nga suveniret e vogla që tregtarët ambulant i ofruan përgjatë ditës.
Ashtu si vitet e kaluara, rrugët e kryeqytet kanë qenë të mbushura me njerëz. Ndonëse temperatura ishin fare pranë zeros, një gjë e tillë nuk i ka penguar njerëzit për të bërë shëtitjen e përvitshme përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Por habia qëndronte në faktin se kryeqytetasit (ose një pjesë e mirë e tyre), nuk kanë festuar privatisht, por familjarisht. Rrugëve nuk kishte si të mos të bënte përshtypje një familje e tërë që u gëzohej dhuratave promocionale të kompanive të ndryshme.
Tashmë është bërë si një traditë, që këtë festë kompani të ndryshme e përdorin për të shpërndarë pa hesap fletushka reklame dhe ndonjë dhuratë simbolike, me markën e kompanisë.
Madje një syresh kishte përdorur personazhet e historisë më të famshme të dashurisë në botë, duke u veshur si Romeo e Zhulieta, dy të rinj. Me këto personazhe kalimtarët mund edhe të bënin foto për kujtim.
Ndërsa në një vend tjetër të kryeqytetit, një tjetër kompani, kishte vendosur një animacion, që tregonte një çifti të dashuruarish pranë kullës Eiffel në Paris. me përmasa jo reale. Të shumtë kanë qenë ata që kanë preferuar të kenë një foto të tillë, për të kujtuar këtë ditë.
Mbrëmja e kësaj feste kësaj herë është ndarë në dy pjesë. Ka pasur nga ata që kanë preferuar që të festojnë në pub-e natën e 13 shkurtit, për të shfrytëzuar të dielën për pushim, e të tjerë që kanë rezervuar, mbrëmjen e 14 shkurtit. Në pothuajse të gjitha baret dhe lokalet e natës, dje është përdorur e njëjtën formulë për të tërhequr klientët: lojëra, dhurata dhe muzikë live.
Me sa duket festa me private në botë, po kthehet në biznesin më të madh ne botë. Të shpresojmë që një gjë e tillë nuk do të ndodhë me të gjitha festat, kombëtare apo ndërkombëtare qofshin ato.

*****************

Durrës, një bombë “dhuratë”, për Shën Valentinin
Një telefonatë anonime e mbërritur në policinë e Durrësit e konkretisht në numrin “129″, ka vënë në gatishmëri të gjitha forcat e policisë së komisariatit. Telefonata e kryer rreth mesditës, raportonte se një sasi eksplozivi ishte vendosur në njërin prej katër kateve të një qendre tregtare, në Durrës.

Informacioni i telefonatës ka bërë që brenda pak minutash forca të shumta policie të Durrësit dhe ekspertë të antieksplozivit të mbërrijnë në këtë qendër, e cila dje ka qenë e mbipopulluar nga banorë të shumtë të cilët e kishin preferuar për të kaluar festën e “Shën Valentinit”. Policia e Durrësit kërkoi nga të qindra frekuentues të saj të ruanin qetësinë dhe brenda pak minutash ka nisur kontrollin në çdo ambient.

Kërkimi për eksploziv ka vazhduar për më shumë se dy orë në të gjitha ambientet e qendrës tregtare, por gjithçka rezultoi një alarm i rremë. Sipas policisë nuk u gjet asnjë gjurmë eksplozivi, ndërkohë që ajo u përqendruar te pista e hetimit, tek personi që telefonoi në polici. Mendohet se shkak është konkurrenca e madhe midis njësive tregtare e cila i ka shtyrë individët deri në përhapjen e këtij lajmi.

Gazeta Shekulli

Ekonomia

Leave a Reply

*