0

Aldo Bares i bie të fikët në qjyq

aldo bareNjeriu i konsideruar si një nga më të rrezikshmit e krimit në Shqipëri, Aldo Bare, i cili akuzohet se për vite me radhë ka qenë tmerri i qytetarëve të Myzeqesë dhe me gjerë, ka kërkuar pafajësi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke “kopjuar” procedurat ligjore që përdorën të pandehurit e dosjes “Durrës-Kukës, Lulzim Basha dhe Andi Toma. Kërkesa është depozituar dje në seancën e radhës gjyqësore dhe do të shqyrtohet nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila në rastin e Bashës dhe Tomës vendosi në favor të të pandehurve. Avokati i Bares, Vladimir Meçi, kërkoi pavlefshmëri të akteve të dosjes dhe pushim të tyre për shkak se kishin përfunduar afatet hetimore në kohën që klientit të tij i ishte komunikuar akuza dhe është bërë dërgimi i kërkesës për gjykim në gjykatë. Strategjia është e njëjtë me atë që përdorën të pandehurit e dosjes Durrës-Kukës, ndërsa avokati Meçi nuk përmendi emra konkretë në seancën e djeshme, duke lënë të nënkuptohet se zonja Hajdari duhet të tregojë kujdes me kërkesën, pasi pretendohet se ka të njëjta kushte. Avokati përmendi në gjykatë vetëm vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Lartë, praktika e së cilit është e zbatueshme për gjykatat më të ulëta. Avokati Meçi vazhdoi deklaratën parë gjykatës, duke deklaruar se procesi ndaj bandës së Lushnjës është copëzuar sikur të ishte një formulë matematike, ndërkohë që klienti i tij, Aldo Bare, është gjykuar njëherë, pavarësisht se prokuroria në procesin e mëparshëm i ka tërhequr njëherë akuzat ndaj tij. Ndërkohë, gjatë leximit nga avokati Meçi i pretendimeve për pushimin e akuzës, kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, ka shfaqur dobësi shëndetësore dhe marrje mëndësh, çka ka sjellë një gjendje shokuese për të. Ai i ka kërkuar trupit gjykues largimin nga seanca, i cili ka dhënë aprovimin. Në këto kushte toga e shoqërimit është alarmuar, duke kërkuar edhe ndihmë të shpejtë shëndetësore. Pas një konsulte në dhomat e gjykatës Bare është përmendur dhe është shfaqur sërish në gjykatë me kokën e lagur. Sipas të dhënave, personeli i gjykatës e ka përmendur me ujë dhe gjendja është normalizuar. Mbrojtja ligjore e Bares deklaroi për gazetën “Shqip” se klienti i tyre mbahet në kushte çnjerëzore në paraburgimin 313. Ai është izoluar në një birucë dhe nuk është lejuar të dalë as për ajrim. Në këto kushte, thanë avokatët, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.

Gazeta Shqip !

Lushnja

Leave a Reply

*