0

Masakrohet “ushtari” i Aldo Bares

Gerti Lala mbeti i vrarë mbrëmjen e së enjtes në një nga lagjet kryesore të qytetit të Lushnjës
Në Lushnjë akoma janë prezent “mbetje” të bandës famëkeqe të Aldo Bares, që po gjykohet te Krimet e Rënda për një seri vrasjesh dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Ekzistenca e mbetjeve të bandës pranohet nga drejtuesit lokalë të drejtësisë dhe policisë, të cilët sa herë që trajtojnë raste të rënda, si vrasje dhe ekzekutime, hedhin dyshime për një riaktivizim të mundshëm të bandës. Një rast i tillë mendohet të jetë edhe ai i ekzekutimit më të fundit mafioz që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në një nga lagjet kryesore të qytetit të Lushnjës, ku mbeti i vrarë një 29-vjeçar. Burime nga grupi i hetimit thanë për gazetën “Shqip” se i riu në adoleshencën e vet ka qenë “ushtar” i bandës së Alfred Shkurtit, i njohur edhe si Aldo Bare. “Një dëshmi e tij e mundshme për aktivitetin e bandës mund të ketë qenë edhe shkaku i ekzekutimit”, thanë burime të besueshme nga grupi i hetimit ngritur menjëherë pas ngjarjes.

Ngjarja
Lushnja u trondit mesnatën e së enjtes nga një ekzekutim mafioz, ku mbeti i vrarë 29-vjeçari Gerti Lala. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë Lushnjë, i riu është gjetur nga të afërmit e tij, i masakruar me thikë e qëlluar edhe me armë zjarri. Ora shënonte 23.15, kur familjarët kanë njoftuar policinë se njeriu i tyre është gjetur i mbuluar nga gjaku dhe pa shenja jete në hyrje të pallatit. Familjarët kanë qenë të parët që i janë afruar viktimës, pasi shpresonin t’i shpëtonin jetën, duke i dhënë ndihmë, por nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Nëna dhe babai i të riut pësuan shok sapo e panë gjendjen e djalit të tyre. Të alarmuar kanë kërkuar ndihmë, por askush nga fqinjët e pallatit nuk u afruan deri në momentin kur në vendngjarje mbërritën forcat e policisë. Ishin pikërisht uniformat blu që pas kryerjes së veprimeve në vendngjarje e transportuan të ndjerin për në morgun e spitalit të qytetit.

Ekzekutimi
Sipas policisë, Gerti Lala kishte festuar deri vonë me disa shokë në një lokal të qytetit. Autorët duhet të kenë qenë duke e vëzhguar 29-vjeçarin dhe madje nuk kanë ngurruar ta ndjekin atë. Burime policore thanë se i riu ka zbritur nga automjeti personal, të cilin e ka parkuar në një shesh pranë pallatit ku banonte, në lagjen “Skënder Libohova”, dhe i është drejtuar hyrjes së pallatit, që ndodhet disi e fshehur nga rruga kryesore, në vendin e quajtur ‘Ipsiloni’, vend ky mjaft i njohur në qytetin e Lushnjës. Sipas policisë, e cila ka ndërtuar edhe skenën e vrasjes, Lalës i është ngritur pritë në kthinën e parë, pak pa hyrë në pallatin ku banonte. Aty ai mendohet të ketë marrë edhe goditjet e para me thikë. Tri të tilla mësohet se ka marrë në trup, ndërkohë që në shkallët e hyrjes së pallatit autorët, duke mos qenë të sigurt për vdekjen e 29-vjeçarit, e kanë qëlluar atë edhe me një pistoletë të pajisur me zbutës zhurmash. Grupi i hetimit ka gjetur në vendin e ngjarjes dy gëzhoja dhe po dy plumba ka marrë edhe viktima, një prej tyre në kokë, kurse tjetrin në kraharor. Vdekja ka qenë e menjëhershme, edhe pse një klithmë e viktimës ka bërë që familjarët e tij të alarmuar të zbresin disa shkallë dhe të përballen me grahmat e vdekjes së të riut.

Policia
Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, sigurimit të provave dhe dëshmive lidhur me lëvizjet e natës së fundit të viktimës, policia, në bashkëpunim me prokurorinë, kanë ngritur grupin e hetimit për ngjarjen në fjalë. Fillimisht policia ka ngritur postblloqe në rrugët kryesore të lagjes ku ndodhi ekzekutimi, si dhe të gjitha hyrjet e daljet e qytetit. Është kontrolluar çdo automjet që ka kaluar në këto rrugë deri mesditën e së premtes. Po ashtu, 10 persona janë shoqëruar dhe pyetur lidhur me ngjarjen e rëndë. Dyshohet se autorët kanë qenë dy persona, edhe pse policia ende nuk ka asnjë identitet të tyre. Ekspertët po punojnë për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarje të rëndë. Zyrtarisht policia deklaron se nuk ka një motiv të qartë, por burime nga grupi i hetimit pohojnë se Gerti Lala ka qenë për shumë vite “ushtar” i bandës së Aldo Bares. 29-vjeçari mendohet të ketë dhënë për autoritetet e policisë një dëshmi lidhur me veprimtarinë kriminale të Aldo Bares dhe anëtarëve të bandës që ai ka drejtuar. Pak javë më parë, Gerti Lala ka folur në polici rreth aktivitetit të bandës. Kjo duket se është mësuar nga anëtarë të bandës, që ende nuk janë kapur nga policia dhe për rrjedhojë për të duket se është vendosur ekzekutimi. Kjo është pista e vetme deri më tani që ngrihet nga policia lokale, në ndihmë të së cilës kanë shkuar specialistë të krimit të organizuar në shkallë drejtorie qarku, të cilët janë marrë me zbardhjen e deritanishme të veprimtarisë së bandës. Po ashtu, për hetimin e kësaj vrasje kanë ardhur edhe ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Lushnja

Leave a Reply

*