Projektligji jep në mënyrë të mjegullt përkufizime që kanë të bëjnë me diskriminimin
Verën që lamë pas Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, befasoi gjithë opinionin publik duke deklaruar se ishte pro martesave brenda gjinisë dhe se shumë shpejt Parlamenti do të miratonte një ligj që lejonte martesat mes homoseksualëve.
Kanë kaluar gjashtë muaj, që nga deklarata e kryeministrit dhe projektligji “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, tashmë, është gati për të hyrë në Parlament. Çudia është se në të 40 nenet e tij nuk përmendet asgjë në lidhje me martesat mes gjinisë së njëjtë, madje edhe termi martesë nuk haset asgjëkund.
Gjithë përmbajta e ligjit rrotullohet mes përcaktimit të diskriminimit (janë disa lloje), mbrojtjes ndaj diskriminimi në punësim, në arsim, në fushën e të mirave dhe shërbimeve, detyrat që duhet të plotësojë në këtë rast këshilli i Ministrave, Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale dhe ai i Arsimit. Aty jepet një kuadër ligjor jo shumë i qartë për çështjen e diskriminimit në vendin tonë.
Në një kohë kur pritej që ky (projekt) ligj të legjitimonte martesat mes homoseksualëve, del se nuk ishte me shumë se një flluskë sapuni, e lëshuar nga kryeministri në ditët e nxehta të korrikut të kaluar. Të vetmet paragrafë, ku gjenden fjalë që kanë lidhje me orientimin seksual, janë: Neni 1, ku shpjegohet edhe objektivi i ligjit.
Aty shkruhet: Ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, besimet politike fetare ose filozofike, statusin ekonomik, arsimor ose shoqëror, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësitë prindërore, moshën gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, statusin shëndetësor, predispozicione gjenetike, paaftësinë, përkatësinë në një grup të veçantë ose me çdo shkak tjetër.
Ndërsa më tutje, në pikën 2 të Nenit 12 të këtij ligji thuhet: “Ndalohet çdo lloj ngacmimi, përfshirë edhe ngacmimin seksual nga punëdhënësi përkundrejt një punëmarrësi ose një kërkuesi për punë ose midis punëmarrësit”. Në të gjithë projektligjin këto janë dy paragrafët, të cilët thjeshtë përmbajnë fjalët identitet gjinor apo orientim seksual.
Askund, në të 20 faqet e projektligjit nuk mund të hasesh më këto terma. Pak ditë pas deklaratës së kryeministrit, përfaqësues të Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, i cili ka hartuar projektligjin thanë se ligji trajton kategoritë që mund të diskriminohen në Shqipëri si, p.sh., minoritetet etnike, grupet e margjinalizuara, ku mes tyre bëjnë pjesë edhe homoseksualët. Por, për asnjë nga këto grupe nuk përcaktohet diçka konkrete. Një përjashtim i vogël është bërë për diskriminimit për shkak të ndërgjegjes apo të fesë.
Një subjekt që pas shumë debateve të shkaktuara nga simbolet fetare që nxënësit dhe studentët mbanin në ambientet e edukimit, pritej që të ishte pjesë e projektligjit. Deklarata e Kryeministrit, sipas të cilit, legjitimimi i martesave mes homoseksualëve një hap që Shqipëria duhet të hedhë për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane, me sa duket ishte thjeshtë një show mediatik, që zgjati vetëm pak ditë.
