Klubi Partizani i kërkon zyrtarisht qeverisë ndërrimin e emrit të stadiumit “Qemal Stafa”.
Përmes një letre të firmosur nga presidenti i klubit të kuq, Albert Xhani, kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, si dhe ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, i kerkohet që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” të marrë emrin e legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, të ndarë nga jeta dy ditë më parë pas një goditjeje kardiake në moshën 71-vjeçare, në Florida të Shteteve të Bashkuara.
“Marrim këtë iniciativë, duke parë se Panajot Pano është jo vetëm simboli i FK Partizanit, klubi që e rriti, aty ku Pano luajti dhe punoi për 25 vjet, por edhe simbol i sportit shqiptar. Duke parë vlerat që do të përçojë brez pas brezi ky simbol, na lejoni t’ju propozojmë që këtë legjendë të futbollit ta nderoni, duke i vënë Stadiumit Kombëtar emrin “Panajot Pano”. Do të ishte një vlerësim për figurën e Panajot Panos, që tempulli i futbollit ku ai luajti jo vetëm për Partizanin, por edhe për Kombëtaren të mbante emrin e një figure kaq shume të nderuar”, – thuhet në letrën e klubit të Partizanit, drejtuar kryeministrit Berisha dhe ministrit të Sporteve, Xhaferraj.
Një iniciativë të tillë e kanë mbeshtetur edhe zëvendësministrat e Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Nikoll Lesi dhe Dashnor Bajaziti. Zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Nikoll Lesi, hodhi idenë që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” të marrë emrin “Panajot Pano”. Lesi do t’i përgatisë një propozim zyrtar qeverisë së kryeministrit Berisha.
Sipas ketyre te fundit, ‘Qemal Stafa’, emrin e të cilit e mban për gati 60 vjet stadiumi, mbetet një figurë e respektuar e së kaluarës komuniste, por nuk ka aspak lidhje me sportin, kështu që emri “Panajot Pano”, mund të gjente pëlqimin e të gjithë krahëve politikë, por dhe tifozëve shqiptarë.
Ndoshta ndeshja e parë ndërkombëtare e Shqipërisë, ajo kundër Irlandës së Veriut, më 3 mars do të luhet në stadiumin kombëtar “Panajot Pano”.
****
Shuhet mbreti i futbollit shqiptar Panajot Pano, dita e varrimit, zi kombëtare
Qeveria nisi mbledhjen e radhes me nje minute heshtje ne nderim te futbollistit shqiptar Panajot Pano. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha shpalli sot ditë zie Kombëtare, ditën e ceremonisë së varrimit të legjendës së futbollit shqiptar Panajot Pano.
“Pano ishte për dekada futbollisti që me talentin e tij, dhuntitë e tij të jashtëzakonshme por dhe shpirtin e tij të pamposhtur në futboll dhe tërësisht popullor në jetë, mbushi me entuziazëm me gëzim dhe krenari zemrat e të gjithë sportdashësve shqiptarë, zemrat e mbarë shqiptarëve”, tha Berisha.
“Futbolli shqiptar është në ditë zie, por në zi janë edhe mbarë shqiptarët. Pano ka marrë nga të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mbarë kombit shqiptar, nga institucionet më të larta të vendit, nga organizmat kryesorë të sportit ndërkombëtar, vlerësimet më të mëdha dhe më të merituara. Në nderim të legjendës te pavdekshme që ai la pas, por dhe nderim i mbarë shqiptarëve që e deshën aq shumë futbollistin e papërsëritshëm, qeveria vendosi sot të shpallë ditë zie kombëtare ditën e cermonisë së varimit të tij”, u shpreh Berisha.
Në të gjitha institucionet flamuri Kombëtar do të ulet në gjysëm shtizë. MTKRS do të organizojë ceremonialin dhe do të përballojë të gjitha shpenzimet e ceremonialit.
Panajot Pano, një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.
Pano, cilësuar si legjenda e futbollit shqiptar lindi në Durrës në 7 mars të vitit 1939.
Gjate karrierës së tij 18- vjeçare si futbollist, Panajot Pano ka luajtur 24 ndeshje në kombëtaren e Shqipërisë. Ai ka luajtur gjatë me fanellën e Klubit Sportiv “Partizanin”, ku ka fituar 4 kampionate dhe 5 kupa.
Në mars të vitit të shkuar ai u nderua si “Nderi i Kombit” nga presidenti i vendot, Bamir Topi.
Pas lajmit për vdekjen e tij, kreu i shtetit, Bamir Topi i ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes.
Në mesazhin e tij, Topi e ka cilësuar Panon si sportistit e rrallë, korife të futbollit shqiptar, që me lojën e mahnitshme, shpirtin e tij luftarak dhe sidomos me golat e paharruar do mbetet ngahera i gdhendur në historinë e futbollit shqiptar dhe në kujtesën e tifozëve dhe sportdashësve, do të vazhdojë ngahera të admirohet jo vetëm nga ata që e njohën personalisht dhe patën fatin të luajnë me të apo kundër tij, por ai do të vazhdojë të kujtohet si një legjendë e gjallë e sportit shqiptar.
