TIRANE – Turp i madh dhe asgjë e ngjashme me futbollin që duhet të luanin dy ekipe si Tirana dhe Dinamo, por turpi më i madh i kësaj ndeshjeje ishte arbitri. Loja nisi më mire për ekipin e Dinamos, i cili rrezikoi qe në minutën e 7 me anë të Bakajt por ky i fundit u pengua në mënyrë të parregullt nga Bici. Arbitri nuk ka hezituar dhe ka nxjerrë kartonin e kuq për Bicin, i cili ishte lojtari i fundit.
Por dalja me të kuq e Bicit duket se i ka dhënë më shumë forcë Tiranës, e cila ka marrë dominimin në pjesën e parë. Në minutat shtesë të kësaj pjese Muzaka ka hyrë në zonë dhe pas një kontakti me portierin Kotorri, arbitri ka dhënë një penallti të dyshimtë. Godet vetë Muzaka dhe 1-0.
Pjesa e dytë ka nisur më mirë për Dinamon, e cila ka krijuar volum loje por asnjë rast. Deri në minutën e 64 të dy portierët ishin pothuajse spektatorë por një rast i dyshimtë ndryshoi krejtësisht rrjedhën e lojës. Pasimi i Kulit për Sozën ka nxjerrë bosh sulmuesin Dinamovit, i cili është penguar nga Nallbani në kufijtë e zonës. Për arbitrin është karton i kuq dhe goditje dënimi. Edhe ky vendim i arbitrit ishte shumë i dyshimtë. Krosi i Bakajt nga goditja e dënimit u shndërrua në gol nga Malakarne. Që nga ky moment e gjithë loja u zhvillua vetëm në 30 metrat e fushës ku ndodhej edhe porta e Tiranës. Dinamovitët humbisnin raste pas rasti ndërsa Tirana e topitur nuk mund të reagonte. Pesë minuta nga fundi i lojës Bakaj ka shfytëzuar një prej aksioneve të shumta dinamovite dhe ka shënuar golin e dytë duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.
Në këtë moment loja ka dalë tërësisht jashtë kontrollit. Në sulmin pasardhës Kuli humbet topin dhe detyrohet të shkaktojë një faull vetëm pak metra larg zonës së Dinamos. Pranë topit afrohen shumë lojtarë dhe Devi Muka shfrytëzon rastin për të goditur Bakajn. Dinamoviti nuk reagon. Po ashtu edhe arbitri i cili vetëm rri e vëzhgon Mukën që godet tre-katër herë sulmuesin dinamovit. Në fund arbitri ndërhyn duke i dhënë kartonin e kuq Bakajt dhe më pas, i detyruar nxjerr jashtë edhe Mukën. Ky i fundit nuk ndalon me kaq por pret që Bakaj ti afrohet sërish për ta goditur edhe disa herë të tjera. Arbitri dhe asistentët e tij vetëm sa vëzhgojnë teksa lojtarët e Tiranës godasin dinamovitët. Për pak sekonda e gjithë fusha e lojës shndërrohet në një arenë grushtash dhe shkelmash nga të dyja ekipet. Sërish arbitri por edhe policia rrijnë e vëzhgojnë. Kulmi arrin kur tifozët e Tiranës mësyjnë në fushë për të goditur dinamovitët. Vetëm ndërhyrja e policisë ka shmangur një nga turpet më të mëdha të futbollit shqiptar. Kur qetësohet situate dallohet Bakaj me kokën e fashuar si pasojë e grushteve të shumtë të kapitenit të Tiranës, Devi Muka dhe lojtarëve të tjerë bardheblu.
10 minuta ndërprerje dhe Tirana rinis lojën nga goditja e dënimit që ishte dhënë përpara sherrit. Bardheblutë patën një rast të mirë për të shënuar por portieri Kotorri shpëton DInamon. Pas rinisjes së lojës ndodh një tjetër skandal në fushë. Mbrojtësi I Tiranës, Osmani sulet për të goditur lojtarët e DInamos. Ai tenton disa herë të godasë lojtarët dinamovitë ndërsa arbitri që ndodhej vetëm pak metra më tej rrinë e shikonte I ngrirë si një statujë. Soza I Dinamos ndërpret lojën për shkak të sherrit në fushë por arbitri jo vetëm që nuk ndëshkon Osmanin por jep goditje dënimi në favor të Tiranës. Pas 12 minutash shtesë ai detyrohet të mbyllë takimin që nuk kishte asgjë të ngjashme me një ndeshje futbolli.
SK Tirana tregoi që nuk është e aftë të organizojë një ndeshje futbolli ashtu sic duhet edhe pse në shkallët e stadiumit ndodhej presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ai vetë braktisi ndeshjen për të mos qenë i pranishëm në një skandal futbollistik.
Kur kjo skenë ndodh në derbin e kryeqytetit, nën prozhektorët e Qemal Stafës, kur shkaktar i grindjes është një lojtar me eksperiencë si Devi Mukaj çfarë mund të presin tifozët nga stadiumet e kategorisë së parë…
