Zbardhet takimi në PE. Konfirmohet drafti dhe ultimatumi
Bashkimi Europian jo vetëm ka rënë dakord për një draft për krizën shqiptare, por ka bërë gati një ultimatum të qartë dhe të fortë që i bën të ditur Tiranës zyrtare se nëse nuk zgjidhet kriza politike atëherë do të ngrihen të gjitha marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, pra liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat. Këtë e bën të ditur në një korrespondencë të sajën, gazetarja e “Top Channel” nga Brukseli, Arta Tozaj. Kështu është konfirmuar mbajtja e takimit mes grupit të Partive Popullore Europiane dhe grupit të Partisë Socialiste Europiane për krizën politike në Shqipëri, siç është publikuar në numrin e djeshëm të “Shqipit”. Nënkryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, rumuni Victor Boshtinaru, tregon se pritet telefonata për Berishën dhe Ramën për datën dhe vendin e takimit në Bruksel apo Strasburg. Burime të besueshme theksojnë se gjithçka vërtitet prej 14-17 qershorit, përkatësisht javën e ardhshme.
Ndërkaq, burime brenda selisë rozë kanë bërë të ditur se PS-ja ka rënë dakord që të pranojë klauzolën për fletët e votimit, që për ta të japë një mendim Gjykata Kushtetuese shqiptare, e cila më pas do t’i kërkojë mendim Komisionit të Venecias.
Ultimatumi
Dy grupet kryesore në Parlamentin Europian, PPE dhe Socialdemokratët, janë mbledhur për të shqyrtuar situatën në Shqipëri. Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin, Victor Boshtinaru, tregoi se sipas informacioneve të tij, të majtët dhe të djathtët europianë kanë rënë dakord për një draft zgjidhjeje, gjë të cilën do ia propozojnë me telefon Tiranës. “Nëse do të arrihet një marrëveshje, atëherë dy grupet politike europiane do ta firmosin atë me dy liderët, Kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist, Rama. Por nëse këta dy liderë do të hedhin poshtë propozimin e Parlamentit Europian, nëse unë jam informuar mirë dhe besoj se e di mirë këtë situatë, të dyja grupet politike europiane vendosin të ngrijnë të gjitha çështjet me Shqipërinë, përfshi edhe atë për regjimin e lirë të vizave”, është shprehur Boshtinaru. Pyetjes së “Top Channel” se ky draft apo propozim që nga marrëveshja mes PPE-së dhe socialdemokratëve evropianë, apo u propozua nga Tirana, Boshtinaru, iu përgjigj: “Drafti është përpiluar nga dy grupet politike të Parlamentit Europian.
Të dy liderët në Tiranë janë plotësisht në dijeni të përmbajtjes. Për mendimin tonë, ky draft është mjaftueshëm fleksibël për t’u pranuar nga të dy, por kjo varet nga vendimi që do të marrin të dyja partitë. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin dhe pasojat për këtë marrëveshje”. Takimi ka qenë i fshehtë jo vetëm për median, por edhe për eurodeputetë të ndryshëm. Në këtë mbledhje, PPE-ja dhe Socialdemokratët europianë janë përfaqësuar nga kryetarët dhe nënkryetarët respektivë, po thuhet se i pranishëm gjatë bisedimeve mbi Shqipërinë ishte edhe kreu i delegacionit për Ballkanin, Kukan. I pyetur mbi rezultatin e këtij takimi dhe pse mendonte se palët në Shqipëri mund të pranonin draftin e PE-së, Kukan tha se nuk mund të jepte detaje, por përsëriti mesazhin për marrëveshje ndaj të dyja palëve. “Po bëjmë ç’është e mundur nga ana jonë për të zgjidhur ngërçin politik, sepse kjo po dëmton vendin, po dëmton të ardhmen e tij dhe progresin drejt BE-së. Ne bëmë gjithçka mundëm dhe tani u takon atyre që të arrijnë marrëveshjen. Ne duhet t’i inkurajojmë e t’i shtyjmë ata me mirësjellje, që të arrijnë një marrëveshje dhe kaq, sepse ne deri tani s’kemi asnjë lajm prej tyre që të kenë arritur marrëveshje”, është shprehur Kukan. Sipas eurodeputetit Boshtinaru, nuk ka pse të përsëritet një darkë e dytë e nivelit “Crocodil”. Por shtoi se “nëse drafti pranohet, ai do të firmoset shpejt edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe komisionit gjithashtu”.
