0

PS, apel Berishës: Lëri ëndrrat bërthamore, jepi fund krizës politike

sajmir tahiri deputeti i psTIRANË- Partia Socialiste i bën sërish thirrje kreut të qeverisë t’i japë fund krizës politike dhe institucionale në vend, duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri gjatë një komunikimi me mediat ka sjellë në kujtesë vendimin më të fundit të qeverisë Berisha për krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore, që i hap udhë ngritjes së centralit bërthamor në Shqipëri, duke e cilësuar atë tymnajën e radhës, për të larguar vëmendjen nga situata aktuale që po kalon vendi.
“Qytetarët shqiptarë e dinë mirë se lajmet blic e sensacionale, siç është edhe ky i centralit bërthamor, janë prodhim i qeverisë për të krijuar një tymnajë marramendëse sa herë që Berishës i duhet të zhvendosë debatin publik nga kriza e demokracisë dhe shtetit ligjor, kriza politike, ekonomike dhe sociale, pra nga krizat e shumëfishta që kanë zënë në kllapi vendin”- tha Tahiri.
Sipas tij, deklaratat entuziaste të Sali Berishës se do e kthejë Shqipërinë në një superfuqi ballkanike për eksportin e energjisë, janë qesharake po të mendosh se po kjo qeveri është e paaftë për të furnizuar qytetarët e vendit të vet 24 orë pa ndërprerje me energji elektrike.
Tahiri ka deklaruar se Partia Socialiste i bën thirrje Kryeministrit që ti lërë shakatë e frikshme e të bëhet serioz, e përpara se të mendojë seriozisht për një sipërmarrje të tillë, të mos fillojë nga emërimi i militantit të radhës si Drejtor të Agjencisë Kombëtare Bërthamore.
“Berisha fillimisht t’i japë zgjidhje të menjëhershme krizës politike dhe institucionale duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, e më pas të vijojë me një konsultim publik, të plotë dhe serioz, konsultim që nuk duhet të bëhet tani, por në kohën e duhur. Në të kundërt, do e bëjmë ne dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve me referendum popullor”- përfundoi ai.

*****

Pas përmbytjes, vendimi: Shkodra, me central atomik

Pak ditë pasi ka zhytur gjithë veriperëndimin në ujë, duke mos respektuar rregulloren e menaxhimit të hidrocentraleve, qeveria ndjehet më e aftë për të përgatitur tashmë terrenin për të ngritur një central bërthamor. Ashtu siç ishte paralajmëruar më parë, gjasat janë që centrali të vendoset po në të njëjtin vend krimi, d.m.th., në Shkodër.
Dje qeveria ka vendosur krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore (AKOB), si institucion qendror në varësi të kryeministrit, me statusin e personit juridik publik që do ketë si objekt të veprimtarisë përgatitjen, ndjekjen e mbarëvajtjes dhe të zhvillimit të programit kombëtar bërthamor, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e kryeministrit.

“Detyrat dhe objektivat e AKOB janë: Ngritja dhe mirëfunksionimi i infrastrukturës të nevojshme, në mbështetje të programit kombëtar bërthamor.
Hartimi i kuadrit të plotë ligjor, i cili do të mbështesë zhvillimin normal të programit.
Hartimi i kuadrit të nevojshëm rregullator, në shërbim të programit.
Bashkërendimi i punës për përzgjedhjen e vendeve, në të cilat mund të ndërtohet centrali bërthamor.
Përzgjedhja dhe sigurimi i përgatitjes profesionale të personelit të nevojshëm, në mbështetje të programit bërthamor, në faza të ndryshme të tij.
Hartimi i dokumentacionit dhe ndjekja e procedurave, në bazë të të cilave do të kërkohen oferta për centralin bërthamor.
Ndjekja, gjatë gjithë fazave, e procedurave dhe ecurisë për ndërtimin dhe vënien në funksionim të centralit bërthamor.
Sigurimi i ruajtjes, afatshkurtër dhe afatgjatë, së lëndës djegëse bërthamore, si dhe të materialeve radioaktive, të cilat lidhen me procesin e prodhimit të energjisë nga centrali bërthamor.

Njohja e popullatës dhe e grupeve të interesit me programin bërthamor, gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të tij.
Vlerësimi i zhvillimit, sipas planifikimit dhe parashikimit të fazave të ndryshme të programit bërthamor”, – thuhet në vendimin e qeverisë.
Lajmi se Shqipëria do të ndërtojë një central bërthamor në Shkodër shkaktoi mjaft zemërim në vendin fqinj, Mal të Zi, por dhe ndër qytetarë të Shkodrës. Qeveria disa herë deklaroi se kjo është thjesht një projekt-ide, që nuk dihet se kur do zbatohet.
AKOB do të përdorë për punën e saj fondet që dalin nga buxhet i shtetit, por edhe “burime financiare nga palë të treta, të destinuara për programin kombëtar bërthamor nga fonde të institucioneve ndërkombëtare, të shteteve të veçanta dhe të organizatave të ndryshme, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi; donacione të subjekteve fizike dhe/ose juridike, nga sektori privat, vendas dhe/ose i huaj, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi”.

Ngrihen grupet e punës për vlerësimet e dëmeve nga përmbytjet
Qeveria miratoi vendimin për ngritjen e grupeve të punës për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut dhe përmbytjet në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës. Grupet e punës do të jenë të përbëra nga specialistë qendrorë nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Shëndetësisë dhe ALUIZNI, por dhe nga specialistë vendorë të qarkut të Shkodrës e Lezhës, si dhe nga komunat e prekura nga përmbytja. Këto grupe do të udhëhiqen nga Këshillit i qarkut përkatës, por një rol të veçantë do të luajë edhe Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile.
“Ky do të jetë vlerësimi më i ndershëm dhe real dhe i gjithë ky proces do të bazohet në dokumentacionin real, në foto satelitore që faktojnë përmbytjen e banesave, hangarëve, stallave, të mbjellave, do të bazohet në regjistrin e matrikulimit të gjësë së gjallë, si dhe në të gjitha të dhënat nga vëzhgimet në vend”, – tha Berisha.

Falë presionit të medieve dhe opozitës, qeveria kujtohet për tërmetin në Dibër
Ndërsa përmbytjet në Shkodër ishin në kulmin e tyre, mediet raportonin se, në një rast të një fatkeqësie natyrore qeveria nuk ka dëmshpërblyer banorët. Të dëmtuarit nga tërmeti i vjetshëm në Dibër nuk kishin marrë asgjë nga qeveria dhe ky ishte një sinjal se kështu mund të ndodhte dhe në Shkodër. Ka qenë presioni i medies, por dhe i opozitës që ka bërë që qeveria të kujtohet për Dibrën dhe të dëmtuarit nga tërmeti. Dje është miratuar një fond për banorët e kësaj zone.
“Qeveria vendosi miratimin e vlerës shtesë të dëmeve të shkaktuara në objekte, pronë private, si rrjedhojë e rënies së tërmetit në qarkun e Dibrës, në shumën 16 202 636 (gjashtëmbëdhjetë milionë e dyqind e dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si rezultat i procesit të vlerësimit dhe rivlerësimit.
Fondi 16 202 636 (gjashtëmbëdhjetë milionë e dyqind e dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit”, – thuhet në vendimin e qeverisë.

Politika

Leave a Reply

*