Kryetari i Partisë Socialiste ka dhënë një deklaratë për mediat sapo ka lënë zyrën e Presidentit Topi, me të cilin pati një takim prej 30 minutash. Rama tha se i kërkova Presidentit Topi të zhbllokojë situatën politike, duke luajtur rolin që i takon si garant i Kushtetutës.
Në prononcimin e tij për mediat Rama u shpreh:
“E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës, për t’i shprehur shqetësimin e thellë të opozitës. Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe të çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet të së drejtës; në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë; në kushtet kur kanë rënë të gjitha garancitë dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë dhe të institucioneve që duhet të garantojnë të drejtën e secilit, duke garantuar barazinë përpara ligjit.
Pa dyshim, që ilustrova shembuj dhe fakte konkrete gjithë sa po ndodh dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liri dhe të drejta kushtetuese, duke luajtur rolin që i takon.”
Takimi i sotëm i liderit të opozitës, Edi Rama me Kryetarin e Shtetit, Bamir Topi u njoftua rreth orës 10:00 nga zyra e shtypit e Presidences por edhe nga ajo e PS-së. Ndërkohë një ditë më parë vetë Topi tha se “jam gati të negocioj për zgjidhjen e krizës politike por me vullnetin e partive”.
