0

Deputetët u rrëmbejnë pensioneve 320 milionë lekë, shtojnë rrogat e tyre

Pak ditë përpara se të merrnin pushimet e verës dhe të mbyllnin sesionin parlamentar, për ta nisur të riun në shtator, deputetët, anëtarë të komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, kanë vendosur rritjen e rrogave për veten e tyre. Në mbledhjen e datës 23 korrik 2010, nën drejtimin e kryetarit të komisionit, deputetit të PD-së, Edmond Spaho, deputetë të djathtë si Sherefedin Shehu, Selami Xhepa, Ledina Alolli, Gjokë Uldedaj, Florjon Mima, Albana Vokshi dhe të PS-së si Arben Ahmetaj, Mimi Kodheli, Ervin Koçi e Gjovalin Kadeli, kanë vendosur të shtojnë për rrogat e deputetëve të Kuvendit fondin prej 320 milionë lekësh të vjetra. Në kohën e krizës së madhe të buxhetit që ka vendi, ky fond është një llokmë e madhe, por çfarë është më e trishtueshmja, fondi që deputetët kanë marrë për rrogat e tyre, është marrë nga ai që duhet të shkonte për rritjen e pagave dhe pensioneve të punonjësve buxhetorë. Më saktë kjo thuhet në pikën 15 të procesverbalit të mbledhjes së komisionit, ku thuhet tekstualisht: “Te Kuvendi, shtohen shpenzimet për fond pagash në shumën 37 milionë lekë. Për të kompensuar shtesat, të pakësohet fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve në masën 52 (+37 milionë Kuvendi) milionë lekë”.

Më poshtë është materiali i mbledhjes së komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, paraditen e 23 korrikut 2010, ku miratohen lëvizje fondesh, që janë për përgjithësi shpenzime të rritura për administratën, për luksin e tyre dhe shtimin e shpenzimeve burokratike, duke penalizuar shtresat në nevojë, siç janë pensionistët.

Procesverbali i mbledhjes së Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave (datë 23.07.2010, ora 10.28)

Drejton mbledhjen
Edmond Spaho – kryetar komisioni
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbaleve
2. Miratimi nen për nen dhe në tërësi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10191, datë 04.12.2009 “Për buxhetin e vitit 2010″”.
Marrin pjesë:
Edmond Spaho, Sherefedin Shehu, Selami Xhepa, Ledina Agolli, Gjokë Uldedaj, Florjon Mima, Albana Vokshi, Arben Ahmetaj, Mimi Kodheli, Ervin Koçi, Gjovalin Kadeli, Igli Cara, Adriana Gjonaj, Luan Skuqi.
Mungojnë:
Lefter Koka, Andis Harasani, Ilir Bejtja, Rudina Seseri, Erion Braçe, Arben Malaj, Sybi Hida, Flamur Hoxha, Albert Çaçi.

HAPET MBLEDHJA
Miratohet procesverbali.
Edmond Spaho – Mirëmëngjesi!
Fillojmë mbledhjen!
Sot do të vazhdojmë me miratimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10190, datë 04.12.2009 “Për buxhetin e vitit 2010″”.
1. Nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka ardhur propozimi për shifrën 100 milionë lekë për programin e menaxhimit të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit dhe mendimi është që të plotësohet brenda fondit të planifikuar nga Ministria e Bujqësisë. 100 milionë lekë nuk janë asgjë për Ministrinë e Bujqësisë.
(Diskutime pa mikrofon).
2. Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka kërkuar për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës lëvizje brenda zërave. 33 milionë lekë i shtohen programit të kërkimit shkencor dhe pakësohet fondi për programin “Arsimi i mesëm”.
3. Komisioni për Sigurinë Kombëtare ka kërkuar 27,7 milionë lekë për SHISH-in. Nëse do të ketë nevojë gjatë vitit, do t’i plotësohen nga fondi rezervë.
4. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
4/1. Avokati i Popullit ka kërkuar 0.4 milionë lekë për shpenzime operative.
4/2. Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar vetëm 4 punonjës shtesë, (përkthyes të gjuhëve të huaja), duke e konsideruar këtë kërkesë për buxhetin e vitit 2010, pasi për këtë vit janë si punonjës me kontratë, por ne do t’ia shtojmë në vitin 2011. Përderisa i ka marrë me kontratë, ne nuk kemi çfarë t’i shtojmë. Kur të bëhet buxheti në vitin 2011, do t’i shtojmë edhe 4 vetë.
4/3. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, ka kërkuar 0.7 milionë lekë për shpenzime operative.
4/4. Te Shkolla e Magjistraturës, shtohen shpenzime për mallra dhe shërbime në shumën 2.4 milionë lekë dhe pakësohen 1 milionë lekë shpenzime për paga dhe 1.4 milionë lekë shpenzime për transferta, buxhetet familjare dhe të individit. Pra, do të realizohet sipas kërkesës së tyre.
5. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka brenda për brenda programeve zbritje të shpenzimeve kapitale në shumën 410385 mijë lekë, si dhe shtim të shpenzimeve me financim të huaj, pra zbriten ato me financim të brendshëm.
Këto ndryshime reflektohen sipas programeve në tabelën 1 të projektligjit me titullin “Totali i shpenzimeve kapitale”. Niveli i programeve nuk ndryshon.
6. Te Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në programin “Arti dhe kultura” shtohen shpenzimet korente me 20 milionë lekë dhe zbriten shpenzimet kapitale po me 20 milionë lekë.
7. Edhe te Zyra e Administrimit të Buxhetit kanë ndryshime brenda zërave. Kanë ndryshime në programin “Planifikim Menaxhim Administrim” dhe “Buxheti i Gjyqësorit”. Pra 1 milionë lekë për transferta dhe 4.5 milionë lekë për pagat. Lëvizje brenda zërave.
8. Te Akademia e Shkencave, shtohen shpenzimet korente në 6 milionë lekë.
9. Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit i shtohen shpenzimet korente me 5 milionë lekë.
Aty nuk është çështje e mungesës financiare, por çështje vizioni. Ju keni shumë të drejtë, por aty është më shumë çështje vizioni dhe angazhimi sesa mungesë financiare.
10. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, propozon të shtohen shpenzimet koherente në programin Mbështetje për burimet natyrore” në masën 1 milionë lekë dhe të pakësohen për të njëjtën shumë në programin ” Mbështetje për zhvillimin ekonomik”.
11. Ministria e Financave, propozon të shtohen në shpenzimet korente 5 milionë lekë në programin “Planifikim Menaxhim Administrim”, 12 milionë lekë në programin ” Menaxhimi i shpenzimeve publike”, 20 milionë lekë ne programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”, 3 milionë lekë në programin “Auditimi i brendshëm dhe kontrolli financiar” dhe të pakësohen shpenzimet korente në programin ” Ekzekutimi i pagesave të ndryshme” në masën 40 milionë lekë. Pra, ka edhe kompensimin kjo ministri.
12. Ministria e Brendshme, propozon të shtohen 180 milionë lekë në shpenzimet koherente tek kapitulli 1 i programit Policia e Shtetit dhe të pakësohet kapitulli 5 i po këtij programi për te njëjtën shumë.
13. Ministria e Mbrojtjes, propozon të shtohen 100 milionë lekë në shpenzimet korente të programit “Bashkëpunimi civilo-ushtarak dhe të pakësohet e njëjta shumë nga shpenzimet korente në programin ” Forcat e luftimit”. Domethënë, do të kemi më shumë bashkëpunim dhe më pak luftë.
14. Te Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Buxheti për Ministrinë e Inovacionit do të jetë pjesë e grupit 87 “Institucione të tjera qeveritare”, programit “Shërbime për shoqëritë e informacionit”. Për këtë qëllim, nga buxheti i Këshillit të Ministrave, shpenzimet korente zbriten 4 milionë lekë dhe grupit 87 i shtohet e njëjta shumë.
15. Te Kuvendi, shtohen shpenzimet për fond pagash në shumën 37 milionë lekë. Për të kompensuar shtesat, të pakësohet fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve në masën 52 (+37 milionë Kuvendi) milionë lekë.
Të ndryshojë aneksi 3 i ligjit, sipas tekstit bashkëlidhur.
Të gjitha ndryshimet të reflektohen në nenet përkatëse dhe në tabelat e ligjit.
(Diskutime pa mikrofon).
Atëherë, jeni dakord që ta konsiderojmë të mbyllur me këto ndryshime të propozuara? Ndryshojnë të gjitha nenet dhe shifrat.
Kalojnë në votim!
Kush është dakord me projektligjin nen për nen?
Miratohet.
Kush është dakord në tërësi?
Miratohet.
Ju falemnderit!

Rajoni

Leave a Reply

*