TIRANË – Nisma e qeverisë për të rinovuar edhe për tre vite të tjera moratoriumin e skafeve ka sjellë pakënaqësi tek deputetët e mazhorancës në Komisionin parlamentar të Sigurisë. Rezervat e shprehura nuk kishin lidhje me zgjatjen e këtij afati, por me vendosmërinë e ekzekutivit për të zgjeruar listën e mjeteve motorike lundruese, që do të ndalohen të qarkullojnë në ujërat tona detare dhe liqenore edhe me motorët sportiv ujor. Të prekur edhe personalisht nga ky draft ata kanë kërkuar tërheqjen e qeverisë nga dispozita, që trajton pikërisht mjetet motorike sportive.
Komisioni
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka shqyrtuar dhe miratuar projektligjin “Për moratoriumin e mjeteve lundruese”. Por para se të arrinte në fazën finale pra atë të miratimit, komisioni i cunguar në numra, ka diskutuar gjatë lidhur me përmbajtjen e këtij drafti, duke u përqendruar kryesisht tek çështja e llojeve të mjeteve, që ky ligj do të ketë si objekt të zbatimit të vetë. I pari që ka marrë fjalën në këtë mbledhje ka qenë drejtori juridik në Ministrinë e Brendshme, Sokol Sheti i cili duke prezantuar draftin, ka theksuar se pavarësisht kufizimit, që i bëhet mjeteve që mund të lundrojnë në ujërat shqiptare, çdo kush mund të aplikojë për të marrë një licencë për të pasur një mjet, që mund ta përdorë një numër të kufizuar aktivitetesh. “Në ligj ashtu si në ligjin e kaluar ka përjashtime për të cilat individë të ndryshëm mund të aplikojnë për tu pajisur me licencë për tu pajisur me të drejtën e lundrimit gjithmonë në përputhje me legjislacionin shqiptar për arsye të ndryshme peshkim, lundrim apo për arsye të ndryshme”, – tha Sheti. Pavarësisht argumenteve, që parashtroi ai për avancimin që ka bërë qeveria në këtë projektligj për sa i përket mjeteve që do të ndalohen të përdoren gjatë zbatimit të tij, deputetët e këtij komisioni, përfshi edhe kryetarin e grupit Astrit Patozi kanë shprehur rezerva duke kërkuar gjithashtu që të rishitet neni përkatës.
Patozi
Kështu, kreu i grupit demokrat ka Patozi ka kërkuar shpjegime nga ekspertët e Ministrisë së Brendshme se cila ishte logjika e ndjekur prej tyre për të përfshirë në këtë grup mjetesh lundruese edhe motorët sportiv. “Unë desha të merrja shpjegime të ekspertëve për ato mjete motorike që parashikohet të pezullohen tek sportet ujore. Cila është logjika dhe argumenti, ku është rrezikshmëria e këtyre mjeteve, që mund të shkaktojnë trafiqe të paligjshme”, – tha Patozi. Në përgjigje të këtij interesi, drejtori drejtorisë juridike në Ministrinë e Brendshme ka argumentuar se një ndryshim i tillë në krahasim me moratoriumin e parë është bërë si rrjedhojë e përfundimeve të arritura nga një studim i Policisë së Shtetit, sipas të cilit edhe motorët e ujit mund të përdoren për trafik lëndës narkotike. Por kjo s’ka bindur deputetët e djathtë të cilët kanë prurë eksperiencën e tyre, duke vërtetuar se motorë të tillë nuk mund të arrijnë të kalojnë kufijtë ujorë të vendit tonë. “Ajo që unë jam skeptik ka të bëjë me faktin se ne sot në komision duhet të kishim një listë të mjeteve motorike që ndalohen të përdoren nga ky moratorium, sepse unë disponoj një mjet motorik ujor sportiv, një gillet nga ato të vegjlit. Nuk ka mundësinë dhe aftësinë ai mjet as për të transportuar dhe as për të kryer distancën që mendohet për të kaluar kufijtë për të transportuar lënde narkotike apo klandestinë. Ndaj të shohim nenin që bënë fjalë për këto lloj mjetesh. Nuk mund të heqim ne edhe atë pak argëtim që kemi krijuar për pushuesit vendas dhe ata të huaj”, – tha deputeti demokrat Fatos Hoxha. Në të njëjtën linjë kanë qenë edhe deputetët e tjerë të cilët po ashtu kanë kërkuar me ngulm që një dispozitë e tillë të mos përfshihet në këtë ligj, pasi dëmton atë kategori njerëzish që i përdorin ato vërtetë për qejf. “Me këtë i bie që policia të rrijë më mirë në shtëpi se pastaj s’do ketë më punë për të bërë. Për mua masa më e madhe e shoqërisë që përdor këto mjete është korrekte, pra që s’shkelin ligjin. Tani nëse ka ndonjë prej këtyre që përdor këto mjete për trafik policia ka detyrën e vet për ta zbuluar. Nëse ne ecim me këtë logjikë që të heqim të gjitha mjetet motorike detare, apo edhe ato rrugore se me këto bëhet trafik atëherë çfarë kuptimi ka kjo. Ne jemi disponues të këtyre mjeteve, atëherë i bie që edhe ne të transportojmë drogë. Ky mjet motorik nuk kalon as detin dhe as liqenin”, – tha deputeti Paulin Sterkaj.
****
Fill pas vendimit te qeverise, zgjatja e moratoriumit te skafeve u prit me kundershti te forta nga PS dhe nga pushteti vendor ne zonat bregdetar. Kreu i Bashkise se Vlores eshte shprehur publikisht kunder zgjatjes se moratoriumit, duke pohuar se numri sy i qeverise premtoi ne Vlore se do ta shfuqizonte vendimin.
Gjika e ka cilësuar si absurd një veprim të tillë, duke kujtuar se edhe vetë zëvendësministri Ilir Meta kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore se gjëja e parë që do të bënte pas ardhjes në pushtet, ishte heqja e moratoriumit. Kryebashkiaku e ka cilësuar vendimin për skafet si një vendim personal të kryeministrit shqiptar, i cili nuk është konsultuar me grupet e interesit.
shekulli.com.al
