Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore, Pipero, pacienti ishte 57 vjeç dhe vuante nga sëmundje kronike
Gripi i derrave shënoi viktimën e parë në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dje se një pacient me origjinë nga Sukthi, me moshë 57 vjeç ndërroi jetë pas një infeksioni me virusin AH1N1.
Sipas drejtorit të Planifikimit dhe Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, pacienti vuante nga sëmundje kronike. Ndërkohë, ai bëri apel që të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku të kenë kujdes dhe të konsultohen nga mjekët.
Pacienti
Vendi ynë, tashmë, futet zyrtarisht në listën e vendeve ku virusi i gripit të derrave shënon vdekjen e pacientëve. Drejtori i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, shpjegoi se pacienti i ardhur me urgjencë nga shërbimi i terapisë intensive i Spitalit të Durrësit dhe i hospitalizuar në Spitalin Universitar të Sëmundjeve Pulmonare, Shefqet Ndroqi, vuante prej shumë kohësh nga tumori i prostatës, si dhe kishte kaluar edhe Infarkt Miokardi të një forme të agravuar. Sipas tij, diagnoza e infeksionit me AH1N1 u konfirmua brenda ditës, pas analizave virologjike të realizuara në laboratorin e virologjisë në ISHP.
“Duke sjellë në vëmendjen e publikut edhe situatën epidemiologjike të vendeve fqinje dhe vendeve të Evropës, të cilët aktualisht kanë konfirmuar një numër të caktuar vdekjesh, ne konfirmojmë përfshirjen e vendit tonë në listën pozitive të vendeve me vdekje nga AH1N1, dhe se kemi të bëjmë me rrezikshmërinë e infeksionit nga virusi i ri pandemik”-pohon Pipero
Grupet e riskut
Të ndodhur përballë situatës së gripit të derrave, Ministria e Shëndetësisë bën me dije të gjitha grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga OBSH, si fëmijët, personeli shëndetësor, gratë shtatzëna dhe veçanërisht të sëmurët kronikë të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialist.
Këtë këshillim, sipas Pëllumb Piperos, duhet ta marrin në çdo rast që kanë shenjat klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë, por edhe të evitojnë në maksimum mjediset e mbifrekuentuara.
AH1N1 është veçanërisht i lartë në pacientët me sëmundje kronike të zemrës, të mushkërive, apo dhe me tumore
Nën këtë këndvështrim, Ministria e Shëndetësisë këshillon të gjithë grupet e popullatës të konsideruara si grupe risku nga OBSH, dhe veçanërisht të sëmuret kronikë të tregojnë kujdes maksimal, duke u konsultuar e kërkuar ndihmën mjekësore në familje nga mjeku i familjes apo specialisti në çdo rast që kanë shenjat klinike qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, pasi, siç jeni në dijeni, rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm po shtohen me ritme të shpejta çdo ditë, por edhe të evitojnë në maksimum mjediset e mbifrekuentuara.
