Sipas specialistëve të shëndetit publik 6 në 100 persona kanë hepatit B, ndërsa 1% e popullsisë ka hepatit C. Shenjat dhe transmetimi i sëmundjes
Alarmi
Hepatitet janë një rrezik serioz për shëndetin e popullatës. Vendi ynë mbetet ndër vendet e para në Evropë për sëmundshmërinë nga hepatitet. Dy tipat më të rrezikshëm janë hepatiti B dhe C, të cilët transmetohen vetëm nëpërmjet gjakut dhe kontaktit seksual. 6 në 100 persona në Shqipëri kanë hepatit B, ndërsa 1% e popullatës vuan nga hepatiti C. Sipas specialisteve të shëndetit publik, ky i fundit është po aq i rrezikshëm sa edhe sëmundja e HI/AIDS.
Hepatitet
Sëmundje e rrezikshme që kërcënon deri në vdekje dhe si të mos mjaftonte kjo, rreziku i transmetimit është tepër i lartë. Bëhet fjalë pikërisht për hepatitin B dhe C, e cila është një sëmundje ngjitëse që prek mëlçinë dhe e rrezikshme bëhet kur kthehet në sëmundje kronike. Sipas specialistëve të shëndetit publik vdekshmëria nga hepatitet është e lartë dhe pikërisht rreth 20% e të prekurve nga hepati C humbin jetën. Specialistët bëjnë apel për testimin në kohë dhe trajtimin e sëmundjes.
“Mjekësia njeh tre lloj hepatitesh, tipi A i quajtur ndryshe verdhëza e zakonshme, e cila merret nga ushqimet, uji i ndotur apo mungesa e higjienës dhe është plotësisht e shërueshme”, – shpjegojnë specialistët e shëndeti publik, duke shtuar se hepatiti B dhe C që merren vetëm nga kontakti seksual dhe gjaku, janë vdekjeprurëse nëse nuk kurohen në kohë.
Simptomat e hepatiteve, sipas specialistëve, janë të njëjta, lodhje, zverdhje fytyre dhe e syve, por ajo që përcakton tipin e verdhëzës është vetëm analiza. Në Shqipëri ekziston vetëm vaksina kundër hepatit B, e cila ka nisur të aplikohet para 15 viteve.
“Sëmundja mund të merret edhe nga kontakti përmes lëkurës dhe mukozave lëngje biologjike të infektuara nga virusi”, – pohojnë specialistët, duke shtuar se kjo mund të ndodhë si pasojë e shpimeve ose prerjeve aksidentale me instrumente apo edhe nga manipulime të infektuara pa mbrojtjen e duhur.
Hepatiti B
Në vendin tonë ka rreth 320 mijë deri në 480 mijë bartës kronik të hepatiti B. Këta të fundit janë persona që edhe në mungesë të sëmundjes përmbajnë agjentin infektiv dhe mund tua transmetojnë të tjerëve. Sipas specialistëve, do të thotë se potenciali i të sëmurëve nga kjo sëmundje mund të jetë shumë i madh, nëse nuk merren masa mbrojtëse.
“Në vendin tonë ka çdo vit rreth 2 mijë persona të prekur nga hepatiti B”, bëjnë të ditur specialistët. Ndërkohë, specialistët pohojnë se hepatit B në shumicën e rasteve shërohet, por ndonjëherë bëhet kronike, duke u transformuar në epati kronike apo tomorr në mëlçi. Dhe pika kritike, sipas tyre, arrin pikërisht kur sëmundja neglizhohet.
Rrugët e infektimit janë:
Marrëdhënie seksuale të pambrojtura
Nga transfuzioni i gjakut
Nga nëna te fëmija gjatë lindjes
Shenjat e sëmundjes janë:
Lodhje
Mungesë oreksi
Dhimbje koke
Të vjella
Temperaturë të lartë
Si të mbrohemi?
- Ekziston një vaksinë kundër hepatitit B.
- Bëhen 2 injeksione me një muaj interval e një e tretë pas 6 muajsh.
- Për personat, që punojnë në spitale e klinika, kjo vaksinë duhet të jetë e detyruar.
- Mbrohuni nga raportet seksuale.
Personeli shëndetësor, 4 në 7 persona të infektuar nga Hepatiti B
Kontingjenti më i prekur nga hepatitet, është pikërisht personeli shëndetësor. Jo pak, por 4 në 7 prej bluzave të bardha në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, kanë kaluar sëmundjen e Hepatitit, ose janë të prekur me hepatitet. Ky është konkluzioni i një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilit, punonjësit e shëndetësisë kanë një risk të lartë kundrejt hepatiteve.
Sipas specialistëve të ISHP, studimi kishte si qëllim zbulimin e prevalencës së hepatiteve te personeli dhe mbulesa e vaksinave kundrejt këtyre infeksioneve. Në shërbim të pacientëve, por edhe pre e marrjes së hepatiteve, pikërisht nga të sëmurët.
Por, ajo çka është akoma më problematike janë edhe vetë pacientët, që mund të bëhen pre e marrjes së hepatiteve, pikërisht nga personeli që iu shërben. “Jo pak, por rreth 70 për qind e personelit shëndetësor, janë bartës të hepatiteve”, – thuhet në studim. Ky është fati i një armate të tërë me personel shëndetësor në QSUT, që përbëhet prej rreth 2700 personave.
Sipas specialistëve të ISHP-së, në këtë studim janë përfshirë 480 persona të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga personeli shëndetësor. Kështu, duke iu referuar të dhënave të studimit, 71 për qind e tyre rezultuan me antigen pozitiv (HbsAG) që, sipas specialistëve, do të thotë që këta punonjës kanë kaluar hepatite, por u ka mbetur përsëri mikrobi në gjak.
Ndërkohë, 39 persona ose 8.1 për qind e personelit rezultuan pozitivë ndaj hepatiteve, çka do të thotë, sipas specialistëve, se ata ishin të infektuar me hepatite. Ndërkohë, specialistët pohojnë se për të nxjerrë të dhënat mbi prevalencën e hepatiteve, janë përfshirë disa kategori të personelit shëndetësor.
Kështu, pjesë e studimit kanë qenë doktorët, infermierët, të pasuar nga punonjësit e laboratorëve që merren me analiza të ndryshme dhe personeli i administratës. Kjo gjithëpërfshirje e disa kategorive të personelit në studim, theksojnë specialistët, tregon se të gjithë janë faktorë risku ndaj këtyre sëmundjeve.
