0

Luhatjet e temperaturave, fluks pacientësh në Pediatri

Mjekët e urgjencës së Pediatrisë në QSUT, pohojnë se kanë rreth 200 urgjenca në ditë. Fëmijët me temperaturë, diarre dhe dobësi

Luhatjet e temperaturave gjatë javëve të fundit, kanë sjellë fluks pacientësh në spital. Temperaturë të lartë, këputje trupore dhe diarre: këto janë disa nga shqetësimet e fëmijëve, prej të cilëve çdo ditë paraqiten rreth 200 raste në urgjencën e Pediatrisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Mjekët shpjegojnë arsyet e fluksit të pacientëve dhe japin këshilla se si duhet të mbrohen nga temperaturat e larta.

Pacientët

Personeli i urgjencës së Pediatrisë është përballur me fluks pacientësh ditët e fundit, madje pacientë të ardhur në gjendje të rëndë shëndetësore. “Na vijnë fëmijë me temperaturë 40 gradë, fëmijë që u ka rënë tërësisht rezistenca trupore dhe pacientë me diarre dhe të vjella. Problematikë janë sidomos pacientët me sëmundje kronike, pasi e kanë më të vështirë për të përballuar këtë situatë, për shkak të imunitetit të dobët që kanë”, – pohojnë mjekët e Pediatrisë në QSUT. Ndërkohë, ata theksojnë se kjo situatë ka ardhur për shkak të luhatjeve të temperaturave dhe, neglizhenca e prindërve për t’i mbajtur në kushte normale, ka ndikuar në sëmundshmërinë e fëmijëve.

“Koha ka qenë e paqëndrueshme dhe nënat, shpesh, nuk dinë si të sillen me këto luhatje të temperaturave. Shumica i veshin shumë fëmijët edhe kur del koha me diell, ndërsa një pjesë tjetër e prindërve neglizhojnë dhe i lënë fëmijët të veshur hollë, kur koha freskon për shkak të shirave. E rëndësishme është që nënat t’i përshtaten kohës dhe t’i mbajnë fëmijët në kushte sa më normale”,- theksojnë mjekët. Ndërsa prindërit të shqetësuar pohojnë se fëmijët e tyre po vuajnë nga temperatura e lartë dhe diarreja prej disa ditësh. “Ka rreth 5 ditë që e kam djalin me diarre dhe temperaturë. Nuk e di se çfarë ka saktësisht, pasi edhe mjekët nuk po më thonë gjë”,- pohon njëri nga prindërit e pacientëve në Pediatri.

Këshilla

Të mbahet higjienë maksimale dhe kujdes nga konsumimi i produkteve ushqimore jo të garantuara. Ky është apeli që bëjnë mjekët pediatër, duke theksuar se në këto temperatura mikrobet janë të destinuara për t’u zhvilluar sa më shumë. “Vëmë re shumë fëmijë që kanë infeksione në zorrë për shkak të kequshqyerjes. Tashmë rekomandohen vetëm produkte të freskëta dhe të sigurta”,- theksojnë mjekët, duke shtuar se fëmijët janë më të ekspozuarit ndaj këtyre infeksioneve, ndaj duhet kujdes maksimal.

Moti, probleme edhe tek të moshuarit

Nuk janë vetëm fëmijët që po vuajnë motin e nxehtë dhe luhatjet e temperaturave, por edhe të moshuarit. Kështu, mjekët specialistë, pohojnë se tek të moshuarit, moti i nxehtë shkakton probleme shëndetësore, si pasojë e ndryshimit të sistemit të çrregullimit të temperaturës trupore. Të moshuarit shpesh nuk janë në gjendje të kuptojnë domosdoshmërinë e mbrojtjes nga të nxehtit, ndaj mund të paraqesin probleme dhe kërkojnë një kujdes më të veçantë, kur dihet se edhe forcat mbrojtëse të tyre janë të ulura. Ata mund të goditen nga nxehtësia, nga dielli apo të rëndohen sëmundjet kronike. “Konsumoni deri 2 në litra ujë në ditë dhe jo pije alkoolike. Evitoni lëvizjet dhe aktivitetet fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00″, – thonë mjekët, sipas të cilëve, fëmijët dhe të moshuarit janë mosha që duhet të tregojë më tepër kujdes.

Shendeti

Leave a Reply

*