Pacientët në QSUT theksojnë se po përballen me mangësi të theksuara. Në spital gjejmë vetëm shtratin dhe mjekët
Sëmundje mbi kurriz dhe si të mos mjaftonte kjo, shpenzime në maksimum sa e kanë të pamundur t’i përballojnë. Spitali më i madh në vend Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ofron për pacientët mangësi, duke filluar nga ato më elementaret deri te medikamentet e shtrenjta. Këtë e pohojnë vet pacientët, të cilat theksojnë se kanë blerë edhe serumet dhe antibiotikët me të thjeshtë.
“Shikoni të gjitha këto kuti barnash. Të gjitha i kam blerë, sepse mjekët më thanë t’i marr në farmaci se nuk ka në spital. Madje edhe serumin e bleva për djalin”, – pohon Arjeta Ismaili, nëna e pacientit 1 vjeç, Mikael Ismalili, i shtruar në shërimin e Alergo-pneumologjisë në Pediatrinë e QSUT-së. Ndërkohë, drejtori i spitalit “Nënë Tereza”, Ilir Dashi, theksoi se po merren masa për përmirësimin situatës së mangësive të medikamenteve.
Ankesat
Në spital po gjejmë vetëm shtratin dhe shërbimin e mjekëve falas, pasi shumicën e medikamenteve po i blejmë. Kështu u shpreh Lula Guri, motra e pacientit 2-vjeçar, Sokol Guri, nga Tirana.
Sipas saj, i vëllai vuan nga astma dhe ka qëndruar i shtuar në pediatrik prej disa ditësh. “Mjekët na thonë se nuk kanë medikamente në spital dhe ne jemi të detyruar t’i blejmë në farmaci.
Kemi blerë antibiotik, shurupe, madje edhe serumin e kemi blerë para 4 ditësh”, – pohon Lula Guri, duke shtuar se kjo situatë është e papërballueshme për ta, pasi shpenzimet ditore u arrijnë deri në 20 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë, të njëjtin shqetësim shprehin dhe pacientët e tjerë, pasi ata shpesh janë të detyruar t’i drejtohen farmacive edhe për gjërat më elementare. “Blejmë edhe vigonët dhe shumë materiale të tjera, të cilat janë akte spitalore dhe duhet t’i gjejmë medoemos në spital”, – pohon Arjeta Ismaili.
Sipas saj, shpesh janë të detyruar të mbyten në borxhe, pasi nuk munden të përballojnë shpenzimet për të mjekuar fëmijët e tyre në spitale. “Bashkëshorti im punon me ditë në ndërtim dhe rrallë i fiton aq para sa na duhen për të mjekuar djalin. Shpresojmë që të merren masa sa më shpejt, në mënyrë që të mos përballemi më me këto mangësi”, – pohon Arjeta Ismaili.
Mjekët
Në spital gjithmonë ka mangësi në medikament, por tashmë po vihen re mangësi edhe për barna dhe materiale shumë elementare. Kështu u shprehën disa nga mjekët e QSUT-së, të cilët theksuan se mangësitë në spital e pengojnë shumë dhe punën e tyre.
“Jemi të detyruar t’i drejtojmë në farmaci, pasi spitali ka shumë mangësi dhe jo të gjithë pacientët arrijnë ta kuptojnë situatën, pasi shpesh shqetësimin e mangësive në spital ua shprehin bluzave të bardha”, theksojnë mjekët.
Drejtuesit e QSUT-së shpjeguan disa nga arsyet e mangësive në medikamente në spital
Dashi: Furnizimi me medikamente, një ndër prioritetet
Shërbimet e QSUT-së nuk do të kenë më mungesa të serumeve apo të materialeve elementare që u duhet për shërbimin. Duke filluar nga dita e djeshme të gjitha shërbimet e QSUT-së kanë filluar të furnizohen me serume, apo siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësore solucion fiziologjik.
Këtë e pohuan vetë drejtuesit e QSUT-së, të cilët theksuan se furnizimi me medikamente do të jetë një ndër prioritet e tyre. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, theksoi se shumë shpejt në të gjitha klinikat e spitalit do të ketë protokolle mjekimi, të cilat do të zbatohen me korrektësi nga të gjithë mjekët.
Ndërsa nëndrejtori i QSUT-së, Xheladin Ndreçini, pohoi se aktualisht në furnizimin me barna të QSUT-së “Nënë Tereza” ka pasur disa mungesa, kryesisht të solucionit fiziologjik (NaCl 0,9%) që përdoret gjerësisht në klinikat e QSUT-së. Shkaqet e mungesës në periudhën e fundvitit të solucionit fiziologjik, sipas tij, lidhen me disa faktorë, ndër të cilët përmendet shtimi i aktivitetit kirurgjikal gjatë vitit 2009 (5-7%), sidomos në muajt e verës, si edhe përdorimit joracional të pambështetur në protokolle klinike të aprovuara.
“Shkaqe të tjera të këtyre mangësive janë lidhur edhe me përdorimin e solucionit fiziologjik për lavazh, mungesë ritmiciteti në furnizimin nga operatorët ekonomikë lidhur edhe me faktorë ndërkombëtarë dhe planifikimin pa kufij të gjerë sigurie – ndoshta të justifikuar nga frika e skadencës”, pohon Ndreçini, duke shtuar se gjithsesi janë marrë të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e gjendjes dhe sot është siguruar furnizimi i mjaftueshëm për të gjitha shërbimet.
