0

SIDA vrau dashurinë e prindërve, tani po më merr jetën

SIDA vrau dashurinë e prindërve, tani po më merr jetënNë intervistë për “Shekulli”-n, një e infektuar me virusin HIV tregon historinë e saj. Prindërit më thanë se SIDA duhet të varroset bashkë me mua.

Përgjigjet shkurt, qartë dhe prerazi. Në çdo fjalë që thotë duket pendimi për veprimet e papërgjegjshme që ka bërë kur ishte më e re. Ky pendim do ta shoqërojë deri në ditët e fundit të jetës dhe mbi kurrizin e saj do të rëndojë edhe turpi që i solli familjes. Bëhet fjalë për një nga pacientet e shërbimit të Infektivit në QSUT, e cila është e infektuar me virusin HIV.
Në intervistë për “Shekulli”-n 30-vjeçarja tregon historinë tragjike që nga momenti kur mësoi se ishte e infektuar deri në ditën e sotme. Pengu i saj më i madh është pakujdesia dhe trauma që i shkaktoi familjes për shkak të turpit që kishte bërë.
Doja t’ju bëja disa pyetje rreth statusit tuaj HIV pozitiv?
Dakord, pa problem, vetëm mos më publiko me emër dhe mbiemër. Kjo do të më kushtonte shumë.
Sa kohë keni që njiheni me statusin tuaj HIV pozitiv?
Kam rreth 6 vjet që mendoj se jam infektuar dhe them se sëmundjen e mora jashtë vendit.
Si jeni infektuar ?
Nuk e di, por mendoj se kam gabuar ndonjëherë.
Si e zbuluat që jeni e infektuar ?
U shtrova në spital se kisha probleme shëndetësore, më vonë e mora vesh që kisha këtë infeksion, nuk dija gjë më përpara.
Si e përjetove dhe si reagove kur të thanë që ke këtë infeksion?
Në fillim nuk e besoja dhe e mohoja. Nuk ka mundësi i thosha vetes, por më vonë u binda, fillova të dridhesha, qaja, kisha shumë frikë, ankth, me dukej çdo gjë e shkatërruar, sikur me kishte goditur bomba.
E humba përqendrimin, më zuri paniku kur mendova që do ta merrnin vesh familja. Fillova të bëhesha agresive, nuk doja të takoja askënd. Mendoja që do të vdisja, do të vuaja, por nuk ndodhi kështu.
Pak më parë thatë që familja do të reagonte ashpër ndaj infektimit tuaj. Përse mendonit ashtu?
E dija se do të reagonin ashpër, sidomos babi. Ky do të ishte turpi i madh i familjes dhe për këtë do të vuanin të gjithë. Në fakt, ashtu ndodhi. Babai filloi të bëhej agresiv, të më fyente, shante për turpin e madh që i kisha sjellë familjes.

Por, me kalimin e kohës filloi të më mbështeste edhe familja, me kusht që kjo do të mbahej e fshehtë dhe kjo të varrosej bashkë me vdekjen time. Sigurisht që unë nuk jam më për ata vajza e tyre e mirë dhe e dashur, por të paktën do t’i kem afër deri në ditët e fundit
Përse kjo frikë për ta mësuar të tjerët, ndiheni e diskriminuar?
Po, ndihem e diskriminuar. Mendo, vet familja ime e kishte pothuajse të pamundur të pranonte këtë. Nëse do ta merrte vesh shoqëria ime, jam e sigurt që do të më paragjykonin.
Përpara se ta dinit që ishit me këtë infeksion, i paragjykonit ju njerëzit me HIV pozitiv?
Po, i kam paragjykuar, por tani e shoh që nuk duhen paragjykuar, sepse ata janë si gjithë të tjerët, nuk përbëjnë rrezik.
Flitet shpesh që njerëzit e infektuar me virusin HIV/AIDS mundohen të infektojnë edhe të tjerët. Ju a keni menduar ndonjëherë të infektoni njerëz të tjerë?
Është e vërtetë që shumë nga të infektuarit kanë mani të bëjnë edhe njerëz të tjerë me këtë sëmundje.
Por, kjo nuk është mani e të gjithë të infektuarve, ndaj nuk duhet përgjithësuar. Unë nuk do ta bëja kurrë, do të ndihesha shumë fajtore, më mirë të vras veten se sa të marr në qafë dikë tjetër.
Ju jeni e martuar?
Jo, jam beqare.
Nëse do t’ju kërkonte (propozonte) dikush për martesë, çfarë do të bënit?
Do të refuzoja, ashtu siç kam bërë deri tani, duke gjetur arsye të ndryshme.
A jeni të informuar sesi të mbroheni dhe të mos transmetoni infeksionin?
Po, jam informuar dhe këshilluar nga mjeku dhe psikologu i spitalit. Marr rregullisht ilaçet dhe ndjek të gjitha këshillat që më jepen.
Cila është dëshira juaj më e madhe dhe çfarë mesazhi mund të përcillni?
Dëshira ime më e madhe është që të jetoj sa më gjatë. Tani që jam çdo ditë e më shumë afër vdekjes e kuptoj se sa e shtrenjtë qenka jeta. Duhet të isha treguar më e kujdesshme. Ndërsa mesazhi që përcjell për të gjithë njerëzit është se jeta është e shtrenjtë ndaj dhe ruajeni atë.

**************************************
Sipas raportit të ISHP-së numri i të prekurve arrin në 359. Zonat me më shumë të prekur janë: Tirana, Durrësi, Lushnja, Elbasani dhe Vlora

SIDA këtë vit me 55 raste të reja, ja zonat më problematike

Numri i të prekurve nga virusi HIV/AIDS deri më sot ka arritur në 359, ndërsa rastet e reja vetëm për këtë vit janë 55 të infektuar. Tendencë në rritje të numrit të infektuarve, sidomos te femrat dhe fenomen që po vihet re gjithnjë e më shumë dhe te të martuarit. Këto janë disa nga risitë, me të cilat po ndeshet vendi ynë sa i takon virusit HIV/AIDS.
Specialistët e shëndetit publik në ditën Ndërkombëtare të Luftës kundra virusit HIV/AIDS bëjnë të ditur për gazetën hartën e zonave më të prekura nga virusi, moshat më të prekura dhe rrugët nga transmetohet virusi.
Ndërkohë, Drejtuesi i Qendrës Aksion Plus, Genci Muçollari, pohon se transmetimi i virusit HIV/AIDS është problematik edhe te përdoruesit e drogave.
Të infektuarit
Deri në nëntor 2009-të, janë regjistruar 359 raste me HIV/AIDS në Shqipëri. Sipas specialistëve vlen për t’u përmendur që vetëm në vitin e fundit, 2009-të (deri në nëntor 2009) janë raportuar 55 raste të reja me HIV/AIDS, prej të cilave 39 janë meshkuj dhe 16 janë femra. “Mbështetur në numrin e personave të diagnostikuar dhe raportuar, Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV.

Megjithatë, vërehet një tendencë në rritje e numrit të rasteve të reja dhe vlerësimet, sugjerojnë për një numër më të madh të rasteve të padiagnostikuara”, – pohojnë specialsitët e shëndetit publik, duke shtuar se krahasuar me vitet e para të shfaqjes së epidemisë, me vitet e fundit të saj, shihet qartë se kemi një tendencë feminizmi (d.m.th., rritjes gjithnjë e më tepër të peshës specifike të femrave në totalin vjetor të rasteve të raportuara).

Bazuar në investigimet epidemiologjike, 54% e personave e kanë marrë infeksionin jashtë vendit dhe 46% brenda vendit. Sipas vendbanimit, 71% jetojnë zonat urbane dhe 29 % në ato rurale.

Harta dhe rrugët

Sipas shpërndarjes gjeografike, 54% e rasteve i përkasin rrethit Tiranë, 6,2% i përkasin rrethit Durrës, 5.6% i përkasin rrethit Lushnjë, 3.9% në rrethet Fier dhe Elbasan, 3.6% në rrethet Shkodër dhe Vlorë, 3% në rrethin e Laçit, 2.4% në rrethin Berat dhe në një përqindje më të vogël në rrethet e tjera (më pak se 1%).

Ndërkohë, Drejtori i Aksion Plus pohoi se për sa i përket rrugës së transmetimit, rruga seksuale vazhdon të mbetet mbizotëruese, me 90% të rasteve (80% heteroseksuale dhe 10% homo-biseksuale). Ndërsa në 5% të rasteve, infeksioni është transmetuar nga nëna e infektuar të fëmija, në 4% nëpërmjet gjakut dhe në 1% te përdoruesit intravenozë të drogës.

Zonat më të prekura
54% e rasteve i përkasin rrethit Tiranë

6,2% e rasteve i përkasin rrethit Durrës

5.6% e rasteve i përkasin rrethit Lushnjë

3.9% e rasteve në rrethet Fier dhe Elbasan

3.6% e rasteve në rrethet Shkodër e Vlorë

3% e rasteve i përkasin rrethit të Laçit

2.4% e rasteve i përkasin rrethit Berat

Frika ndaj SIDA-s nuk kursen as lotët e burrave

Nga pikëpamja psiko-emocionale pacientët reagojnë në të njëjtën mënyrë kur informohen se janë të infektuar me infeksionin HIV.
Pra, nuk ka dallim midis moshave apo sekseve në mënyrën e reagimit apo të sjelljes së tyre. Kështu u shpreh psikologu i Klinikës Ambulatore në QSUT, Vilson Banushi, i cili shpjegoi se të gjithë pacientët që ndiqen në këtë klinikë janë adult (të rritur).

“Edhe pse nuk është në traditën tonë që burrat të qajnë, është parë se kur ngarkesa emocionale është e lartë edhe ata qajnë”, pohon psikologu.

Ndërsa, simptoma të tjera që janë karakteristike për të gjithë pacientët, sipas tij, janë dridhje, djersitje, humbasin përqendrimin, paraqesin një nivel të ulët të humorit, shprehin pesimizëm, humbasin besimin në vetvete, interes i ulët për jetën, sjellje të keqpërshtatura. “Ata përjetojnë gjendje ankthi në vazhdimësi, por edhe gjendje paniku kryesisht kur informohen se janë të infektuar.

Pacientët e shikojnë realitetin post-infektim si të pashpresë, ofrojnë shqetësime subjektive”, pohon psikologu, duke shtuar se shpesh te pacientët mbizotëron “instinkti i vdekjes”, në veçanti kur kanë shqetësime fizike, të cilat bëhen shkas edhe për konflikte psikologjike. Sipas tij, kjo është arsyeja pse me pacientët punohet në vazhdimësi, dhe janë në kontakt dhe në një ndërveprim të vazhdueshëm me pacientët tanë.

“Unë u këshilloj dhe u kërkoj të gjitha grupmoshave të afta seksualisht që kanë pasur sjellje të rrezikshme, por edhe atyre që dyshojnë se kanë rrezikuar, ata të cilët kanë bërë transfuzion gjaku dhe që e ndiejnë veten se kanë qenë të ekspozuar ndaj infeksionit HIV/AIDS të vijnë të testohen, pasi kjo është rruga më e mirë”, pohon psikologu Vilson Banushi.

Përdoruesit e drogave, një shiringë e përdorin 5 persona

Përdoruesit e drogave janë një kontingjent i rrezikuar nga virusi HIV/AIDS. Shkak për këtë është përdorimi i një shiringe nga shumë përdorues. Kështu u shprehen specialistët e qendrës “Stop AIDS”, të cilët theksuan se rritja e numrit të përdoruesve të drogës rrit edhe rrezikshmërinë për rritjen e numrit të të infektuarve me virusin vdekjeprurës.

Kjo është edhe arsyeja që misioni i tyre është që të shpërndajnë falas shiringa përdoruesve të drogës, në mënyrë që rreziku të minimizohet disi. “Nga puna që bëjmë në terren, vëmë re që shumë përdorues përdorin të njëjtat shiringa. Madje, ka raste që një shiringë mund të përdoret në më shumë se 5 persona.

Detyra jonë është që jo vetëm t’i këshillojmë përdoruesit e drogave, por edhe t’u japim atyre shiringa falas”, pohojnë specialistët e “Stop AIDS”.

shekulli.com.al

Shendeti

Leave a Reply

*