0

BBC: Në Shqipëri, rënie e lehtë e entuziazmit për BE

13 janar KARIKATURASipas një sondazhi të kryer nga Instituti për Studime Ndërkombëre në Tiranë, rreth 89% qytetarëve të Shqipërisë mbështesin integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Ndonëse në një rënie të lehtë krahasuar me sondazhet e disa viteve radhazi, shifra e lartë shpjegohet kryesisht me dëshirën për lëvizje pa viza në Europë.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve besojnë se hyrja në BE do të ndodhë brenda vitit 2015. Por ekspertët për çështjet europiane dhe vëzhguesit mendojnë se ky parashikim është tepër optimist.

Dy dekada pas rënies së komunizmit, jo pak shqiptarë mendojnë se po afrohet koha që vendi të hyjë në familjen evropiane. Slogani qëndror i lëvizjes popullore antikomuniste në vitin 1990 ishte: E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Në vitin e tetë radhazi që Instituti për Studime Ndërkombëtare (ISN) në Tiranë kryen sondazhin mbi atë se si shihet dhe perceptohet nga njerëzit integrimi evropian i Shqipërisë, për herë të parë shifra e përkrahësve të proçesit është më pak se 90%.

Në vitin 2009, 88.7 % e shqiptarëve janë pro integrimit europian, në vitet e mëparshme kjo shifër luhatej te 95% e madje edhe më lart. Sipas drejtorit të ISN, Albert Rakipi, shifrat në rënie duhen kuptuar si një prirje pozitive.

“Ne mendojmë se po mbaron një trend në shoqërinë shqiptare dhe po fillon një trend i ri më kritik i të menduarit të të ardhmes së Shqipërisë, përfshirë dhe antarësimin në BE. Kjo është një gjë pozitive dhe sigurisht do të ishte shumë më pozitive nëse ky trend do të vijonte dhe do të thellohej, sepse kjo do të thotë praktikisht që shoqëria shqiptare do të zhvillojë një sens më kritik. Integrimi europian do të kuptohet si një proçes reformash që ndodh brenda vendit dhe ndryshon jetën tonë në demokraci, mënyrën si funksionon shteti, në ndryshim me një lloj konceptimi të deritanishëm që mendon se integrimi i Shqipërisë në BE do të ndodhë nga jashtë dhe do të sjellë mrekulli në vend. ”

Sondazhi mbi perceptimin e integrimit në BE është kryer në një kampion me përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë.

Jo pak njerëz e shohin proçesin nga fokusi i heqjes së regjimit të vizave për udhëtimin në EVropë. Por jo vetëm. Disa të rinj dhe studentë te pyetur nga BBC mendojnë se psikologjikisht do të ndjeheshin më mirë, më afër me qytetarët e Europës.

Dikush mendon se do ta kishte më të lehtë për të studjuar jashtë, dikush tjetër e sheh përfitimin edhe te fakti se do të ishte një mundësi më shumë për t’u kujdesur për shëndetin edhe jashtë vendit, sipas mundësive.

Po ku ndodhet Shqipëria në procesin e anëtarësimit?

Shqipëria është aktualisht në proçesin e liberalizimit apo heqjes së vizave me vendet e BE.

Autoritetet shprehen prej kohësh optimistë se kjo do të ndodhë brenda vitit 2010. Në sondazhin e kryer nga ISN, rezulton se 36.5% e njerëzve janë pro integrimit, pikërisht për lëvizjen e lirë. Nëse kjo aspiratë realizohet, a do të bjerë edhe në Shqipëri mbështetja për integrimin europian në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit? Albert Rakipi:

“Ka shumë gjasa që kjo mbështetje të zbresë pavarësisht nga fakti se kjo do të ishte në fakt një lexim mekanik dhe shumë hipotetik i situatës, por megjithatë realizimi i një kërkese, e cila ka qenë shumë sensitive për publikun, ka mjaft gjasa që ta reduktojë këtë mbështetje dhe ta mbajë atë në trendet normale. Kam parasysh këtu Kroacinë ku mbështetja ka qenë rreth 50% ose dhe vendet e tjera të Europës Qendrore apo lindore dhe të BE-së.”

Megjithëse entuziastë në rrugën drejt BE, shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se vendi nuk është i përgatitur. Kështu mendojnë rreth 48% e të pyeturve.

Jo pak njerëz kanë rezerva për stadin aktual të zhvillimit të vendit dhe standartet ende të ulëta të zhvillimit të shoqërisë, krahasuar me ato të Europës.

Nga sondazhi i kryer nga ISN del se rreth 65% e shqiptarëve mendojnë sot se hyrja e Shqipërisë në BE do të bëhet realitet deri në vitin 2015. Të tjerë, 14% mendojnë për vitin 2020, kurse 9% janë më pesimistë duke u shprehur se vetëm pas vitit 2020 do të jetë e mundur që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane.

Ndonëse një pjesë e madhe e shqiptarëve janë të ndërgjegjshëm se Shqipëria nuk është gati për të hyrë në BE, një e treta e tyre mendojnë se Evropa duhet ta pranojë Shqipërinë siç është.

Ky opinion ushqehet ndoshta edhe nga fakti që Shqipëria prej një viti është tashmë anëtare me të drejta të plota të NATO-s, organizatë ku kriteret politike vlejnë po aq sa edhe për BE.

Euroentuziastët e shumtë në Shqipëri mendojnë se nuk ka përse të mos të ndodhë si me NATO-n.

Por rrethanat aktuale dhe afatmesme politike në Evropë, ashtu si dhe sinjalet e zyrtarëve dhe aktorëve kryesorë të politikës evropiane, tregojnë se nëse vizat mund të hiqen shpejt, brenda vitit 2010, hyrja në BE është një çështje e një perspektive jo të afërt.

Showbiz

Leave a Reply

*