0

Konstruktohet Meklaren-Mercedesi në gurë

Meklaren 1Tre vëllezër nga Lezha kanë vendosur që të ndërtojnë një automjet të Formula 1 me gurë të ndryshëm, në përmasa reale, teksa pesha e tij shkon në 6 tonë

LEZHË – Gjatë ditëve të përmbytjeve, ndërsa bashkë me një ekip gazetarësh ishim nisur drejt zonave të Nënshkodrës, na bëri përshtypje një mjet i gdhendur në gur që qëndronte në oborrin e një banese pak kilometra pa hyrë në qytetin e Lezhës. Mjeti ishte intrigues nga pamja që ofronte, prandaj në kthim vendosëm që të ndalonin dhe ta shikonim nga afër. Ishin orët e pasdites kur u rikthyem dhe i morëm leje pronarit të banesës për ta parë këtë krijesë artistike nga afër. Nga distanca patëm ndjesinë se mund të ishte një “Ferrari” për shkak të gurit të kuq masiv që ishte përdorur në skalitjen e tij, por teksa sytë na shkuan tek stema, kuptuam që nuk bëhej fjalë për “Kokëkuqen” e famshme të Formula 1, por për Meklaren-Mercedesin. Sidoqoftë, nisur edhe nga ngjyra, të gjitha sa ishim e “pagëzuam” mjetin e gurtë me emrin e Ferrarit. Në banesë gjetëm vetëm Gjonarin Gjinin. E pyetëm rreth idesë dhe punës së bërë për ta ndërtuar mjetin e gurtë të Formula 1, teksa ai na tregoi se atë e kishte punuar bashkë me dy vëllezërit e tij gurgdhendës, teksa ideator ishte vëllai i tij, Alfredi. Ndoshta edhe vetë “konstruktorët” kanë pasur preferenca të ndryshme lidhur me tipin që do të prodhonin, gjithsesi duket se fitues kishte dalë pala simpatizante e teknologjisë gjermane dhe nga Ferrari, mjeti iu dha karta e identitetit e Meklarenit. Për këtë, në pjesën e përparme të automjetit, që tashti ndodhet i përfunduar në anë të aksit të autostradës, 2 km pa hyrë në Lezhë, ata kanë skalitur stemën e Mercedes Bencit.

Pjesët, nga veriu dhe jugu

Pranë admiruesve të këtij mjeti është edhe një shofer, i cili ndjek me vëmendje Gjonarinin se si tregon mbi punën që është dashur të përballojnë pjesëtaret e ekipit vëllazëror Gjini, për ta bërë sa më të vërtetë këtë objekt të gurtë. Kur Gjonarini thotë se gurët e mermerit të bardhë janë marrë në Skrapar, në Çorovodën e sipërme, Kimja (kështu e thërrisnin shoferin), entusiazmohet dhe thotë: “Edhe unë jam nga Skrapari, aman më bëni një fotografi në të”, dhe pozon në timonin e gurtë të Meklarenit, që tashmë doli edhe me origjinë nga Skrapari. Pas kësaj Gjonarini thotë se ky mjet është konstruktuar me material të gurtë të përzgjedhur nga veriu dhe jugu i vendit. Ai tregon se për këtë është punuar nga të tre vëllezërit me shumë kujdes, për këtë është bërë edhe një përzgjedhje materiali të gurtë nga e gjithë Shqipëria. Gurët e errët i kanë përzgjedhur nga Përmeti dhe me to janë gdhendur pjesët e gomave dhe të pajisjeve lidhëse të gomës me konstruktin “motorik” të mjetit, pjesët me mermer të bardhë që janë përdorur kryesisht tek disqet dhe fenelinat, si dhe stema e mjetit në pjesën e sipërme, janë marrë në Skrapar. Më saktë, ai thotë në Çorovodën e Sipërme. Gjonarini thotë se korpusi kryesor është gdhendur me gur vendas të fshatit Tresh, të tipit roso albania, nga vendlindja e konstruktorëve Gjini.

Përmasat

Madhësia e mjetit sportiv të ngurtësuar në udhëtimin e tij në afërsi të qytetit të Lezhes është thuajse në përmasat reale të mjetit të pistave sportive të Formula Uno-s. Sipas Gjonarinit, ai ka përmasat e 3 metër e 40 cm gjatësi, ndërsa gjerësia është rreth 1 metër e 50 cm. Ai merr metrin në dorë dhe përpiqet që ta masë për t’i bërë më bindese të dhënat e mjetit për të cilat flet me një pasion dhe krenari të veçantë. Vëllezërit Gjini kanë punuar për të gdhendur këtë vepër në gur dhe për ta montuar rreth 3 muaj me radhë. Pesha e Meklarenit lezhjanë është 6 ton. 6 ton peshë me gurë të mbledhur nga e gjithë Shqipëria.

shekulli.com.al

Showbiz

Leave a Reply

*